Drejtësia

Meta në gjyq për herë të parë pas arrestimit, akuzon për manipulim të procesit. Shtyhet seanca

Gazeta Si – Ish-presidenti Ilir Meta është shfaqur për herë të parë në publik që prej tetorit 2024 kur u arrestua, por seanca e parë e gjyqit në themel në GJKKO është shtyrë për shkak të qëndrimeve të të pandehurës Fatime Kryemadhi për procedurën e gjykimit dhe zgjedhjen e çështjes së përfaqësimit.

Ndërsa seanca e radhës u caktua për më 11 maj në orën 12:00, brenda sallës kamerat e mediave u lejuan vetëm për të përcjellë drejtpërdrejt për publikun fazën e legjitimimit të palëve në proces.

Kreu i Partisë së Lirisë i ka kërkuar GJKKO-së që seancat gjyqësore ndaj tij të transmetohen live për mediat.

Për këtë kërkesë të ish-presidentit, gjyqtarja Etleva Deda ka deklaruar në seancë se ekziston një vendim i Këshillit të Lartë Gjyqësor që nuk lejon transmetimin e seancave gjyqësore.

Që prej kohës së arrestimit në 21 tetor 2024, kreu i PL vërehet me ndryshime fizike në pamje, ndërsa që në nisje të gjyqit pati akuza për manipulim të procesit hetimor ndaj tij.

Meta, sapo ka mbërritur në sallën e gjyqit, u shfaq në kafazin e xhamit, ku përshëndeti publikun me dy gishtat lartë.

Ish-presidenti ka bërë gjithashtu me duar simbolin e shqiponjës duke thënë fjalët: “Shqipëria e shqiptarëve”.

“Proces i montuar me shpifës dhe kallëzues të rremë kundër shtetit dhe jo kundër meje”,- u shpreh Meta. Ndërsa avokati i tij Kujtim Cakrani e cilësoi të papranueshëm faktin që kreu i Partisë së Lirisë mbahet në një kafaz prej xhami.

Në sallë është futur edhe Monika Kryemadhi, e cila nuk ka përshëndetur ish-bashkëshortin e saj në kafaz, i cili nderkohë po nënshkruante deklaraten për lejimin e kamerave.

Në këtë proces Meta e Kryemadhi do të përballen me akuzat e “korrupsionit”, “pastrimit të parave” dhe “fshehjes e mosdeklarimit të pasurisë”.

Përfaqësues të Partisë së Lirisë ishin në Gjykatën e Posaçme për të ndjekur nga afër seancën.

Pas daljes nga GJKKO, Monika Kryemadhi tha se gjykimi ndaj saj po bëhet pa fakte duke pretenduar se po akuzohet se ka pranuar një shtëpi si dhuratë në këmbim të votës pro për ligjin e minierave.

“Gjyqtarja kishte vendosur që të më pajisnin me ekspertimin e telefonit tim ku bëhet fjalë për bisedat e mia. Prokuroria përdor mesazhin ku unë them dua të marrë një shtëpi. Kam shkuar e kam parë shtëpinë në qershor, korrik dhe shtator e kam anuluar. Prokuroria thotë se ky është korrupsion. Unë kam blerë një shtëpi që është tek Kodra e Diellit. Është si të shkosh të provosh disa fustane, por në fund merr vetëm njërin. Ata pretendojnë se kjo shtëpi është marrë si premtim për ligjin e minierave. Ligji është vendim kolegjial, jo personal”, – u shpreh Kryemadhi.

Kreu i Partisë së Lirisë u arrestua më 21 tetor 2024, teksa po hynte në Tiranë, në një operacion të forcave speciale. Deri më tani, Meta i ka mohuar të gjitha akuzat, ndërsa pritet që në këtë proces të ketë për herë të parë një përballje të drejtpërdrejtë me prokurorët në sallën e gjyqit, në prani të kamerave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë