Njerez

Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare akademiku Rexhep Qosja

Nga Gazeta Si- Akademiku Rexhep Qosja ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare. Lajmin e kanë konfirmuar vetë familjarët e Qoses përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook.

“Njoftojmë se sot, më datë 23.4.2026 është ndarë nga jeta dhe është varrosur Rexhep Qosja. Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes”, thuhet në njoftimin e ndarë nga familja.

Nipi i tij, Valjet Rexhepi thotë se me dëshirën e të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Gjithashtu, familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale.

“Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na mundësohet të mbajmë zi në qetësi”, thuhet në njoftim.

Rexhep Qosja lindi më 25 qershor 1936.

 Ka kryer studimet e larta në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Është specializuar në shkencën e letërsisë në Universitetin e Beogradit dhe është doktoruar me temën “Asdreni – jeta dhe vepra e tij”.

Ai ka qenë profesor i estetikës dhe drejtues i studimeve të shkallës së tretë për filologji në Fakultetin Filologjik të Prishtinës dhe për 11 vjet drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Ka qenë kryetar i Lëvizjes së Bashkuar Demokratike të Kosovës, anëtar i delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje dhe anëtar i Kryesisë së këtij delegacioni.

Qosja merrej me prozë- tregime e romane, dramaturgji, histori të letërsisë, kritikë, eseistikë, publicistikë dhe polemikë.

Veprat “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Sfinga e gjallë”, “Beselam pse më flijojnë”, “Bardha”, “Çështja shqiptare- historia dhe politika” dhe “Populli i ndaluar” janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Drama të tij janë shfaqur në teatrot e Shqipërisë, Kosovës, në disa qendra në ish-Jugosllavi dhe në Europë.

Në vitin 1998 u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit” i Shqipërisë dhe është shpallur “Qytetar Nderi” i Vlorës, Gjirokastrës dhe Tepelenës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë