Gazeta Si – Këshilli Bashkiak Tiranë ka miratuar ndihmën financiare për familjet e prekura nga zjarri që përfshiu pallatin 12-katësh pranë QSUT-së javën e kaluar.
Sipas projekt-vendimit, që u paraqit për miratim përpara Këshillit Bashkiak, do të jepet një dëmshpërblim prej 40 mijë lekësh në muaj për familjet e prekura.
Ky vendim do të mbetet në fuqi deri në momentin që familjet e prekura të hyjnë në banesat e tyre.
“Zjarri i përmasave të mëdha te Kompania Arlis, dhjetëra familje mbeten pa banesë, me dëme të shumta materiale, për fat të mirë, vetëm dëme materiale. Ka pasur të gjitha ndërhyrjet e mundshme të të gjithë aktorëve, nuk dua të them vetëm zjarrfikësit, që kanë pasur angazhimin e tyre. Në këto raste jeta është më e rëndësishmja dhe kjo është arritur me sukses. Patjetër që reagimi për t’i ardhur në ndihmë banorëve ka qenë i menjëhershëm në administratë. Patjetër që reagimi për t’i ardhur në ndihmë banorëve ka qenë i menjëhershëm këtu në administratë, duke konfirmuar që e kishim bazën ligjore për të dhënë një kontribut për strehim të këtyre banorëve, në këtë periudhë të ndërmjetme kur ata kanë mbetur të pastrehë, deri në momentin e rehabilitimit të banesave të tyre”, tha kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani.
Ndihma synon të sigurojë kushtet minimale të jetesës dhe strehimit të përkohshëm për të prekurit nga zjarri i rënë më 14 prill në godinën “Arlis Ndërtim”, në Rrugën e Dibrës.
Për të përfituar, qytetarët duhet të dorëzojnë pranë njësisë administrative dokumentacionin përkatës, që përfshin dokument identifikimi, certifikatë familjare, dokument pronësie, si dhe vërtetim nga Kadastra që provon se nuk zotërojnë banesë tjetër.
Ngjarja ndodhi më 14 prill, ku si pasojë e zjarrit që përfshiu pallatin u shkrumbuan 30 apartamente. Një ditë më pas kryeministri Edi Rama me anë të një reagimi në rrjetet sociale tha se apartamentet do të rindërtohen 100% nga vetë kompania.
Ndërkohë ekspertiza ende nuk ka dalë me një konkluzion të qartë se cilat janë autorët, që shkaktuan zjarrin te pallati, në zonën përballë QSUT-së.
Po sot Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar edhe kompensimin për Transportin Publik, në vlerën 50 lekë për çdo litër karburant.
Ky vendim erdhi pas reduktimit me 40 për qind të flotës së autobusëve urban dhe interurban në vend, që shkaktuan për dy ditë pritje të gjata në stacione dhe kaos te qytetarët.
Shoqata e Transportit Publik kërkoi subvencion nga qeveria për shkak të rritjes së çmimit të karburanteve, si pasojë e luftës në Iran, ku u bllokua Ngushtica e Hormuzit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje