Nga Gazeta Si- Azilkërkuesit shqiptarë po paguajnë policë të korruptuar që të shkruajnë vërtetime në favor të aplikimeve të tyre, shkruan Daily Mail.
Sipas medias britanike, emigrantët shqiptarë shpesh pretendojnë se janë kërcënuar nga kriminelë në vendin e tyre me qëllimin për të kërkuar azil në Mbretërinë e Bashkuar.
Duke qenë se këto aplikime ka të ngjarë të mos miratohen pa u mbështetur në asnjë provë, grupet e organizuara kriminale kanë ndërhyrë për të ofruar një zgjidhje, duke shfrytëzuar zyrtarë të korruptuar.
Një bandë, që operon përmes një llogarie në TikTok të quajtur “Punë të ndryshme në Europë” ka reklamuar drejtpërdrejt shërbimet e saj për emigrantët shqiptarë që duan të paraqesin kërkesa të rreme për azil.
“Për çunat që janë në azil në Europë dhe Angli dhe ju duhet vërtetim që keni probleme në Shqipëri, kontaktoni me mesazh”, thuhet në një nga postimet. “Mund të sigurojmë deklarata të vërteta nga shteti ose spitalet që thonë se jeni kërcënuar në Shqipëri. Për më shumë informacion, na shkruani.”

Duke përdorur një numër celulari shqiptar, një gazetar i infiltruar i Daily Mail u shtir sikur kishte një të afërm në një qendër paraburgimi në Mbretërinë e Bashkuar, i cili kishte nevojë për një vërtetim për të kërkuar azil.
Përgjigjja mbërriti brenda pak minutash, duke ofruar një letër për 3,000 euro (2,616 paund).
Banda premtoi se dokumenti do të deklaronte se kushëriri ishte kërcënuar në Shqipëri dhe do të përfshinte nënshkrimin, vulën dhe emrin e plotë të shefit të policisë që e kishte lëshuar.
Kur iu kërkua prova e një letre që banda kishte prodhuar më parë, ata dërguan një dokument që mbante emrin e një shefi policie në Korçë.

Anëtari i bandës kërkoi gjysmën e parave si kapar dhe pjesën tjetër pas marrjes së deklaratës.
Më shumë se 17,000 shqiptarë kanë kërkuar azil në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2022, përpara se një marrëveshje për përshpejtimin e kthimeve ta ulte këtë shifër në 2,648 deri në vitin 2024.
Ministria e Brendshme tani e konsideron vendin të sigurt dhe ka refuzuar 97% të të gjitha kërkesave në vitin 2024, megjithëse disa prej tyre mund të jenë apeluar me sukses.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje