Politike

Berisha: Rama sulmoi protestuesit paqësorë njësoj si Asadi në Siri!

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke folur nga foltorja para Kryeministrisë për protestën e së premtes, u shpreh se tubime të tilla zhvillohen edhe në vende të tjera të botës, madje shpesh shoqërohen me episode dhune.

Megjithatë, sipas tij, ajo që ndodh në Shqipëri është e papranueshme, pasi- siç tha ai – qytetarët përballen me dhunë policore.

Berisha theksoi se protesta e së premtes, ashtu si edhe të tjera më parë, nuk ka pasur asnjë akt force nga ana e protestuesve.

Ai hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama, ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari dhe drejtuesit të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, duke pretenduar se me vetëdije kanë përdorur gaz lotsjellës ndaj qytetarëve.

Berisha përdori tone të ashpra, duke e krahasuar reagimin e autoriteteve me skena të rënda nga konflikte ndërkombëtare.

“Ditën e premte, shqiptarët dhe miqtë e tyre kudo në botë u përballën me pamjet më të shëmtuara, me pamje që të kujtonin sulmet e Asadit mbi popullin e tij. Me pamje që të rikujtonin sulmet kimike të Sadam Hyseinit dhe gjenocidin ndaj kurdëve”, u shpreh ai.

Sipas Berishës, ndonëse në vende të tjera si Franca apo Brukseli protestat mund të shoqërohen me akte dhune dhe dëmtime pronash, nuk ndodh që protestuesit të përballen me dhunë të tillë nga policia.

Ai shtoi se ndërhyrja e policisë ndodhi menjëherë pas përfundimit të fjalimit të tij, duke e cilësuar reagimin si të ashpër dhe të pajustifikuar.

“Ne u dhunuam ditën e premte për të njëjtën arsye pse Asadi, ajatollahët dhunojnë popullin e tyre.

Sepse ata kanë frikë dhe e bëjnë vetëm nga frika. Frika e Edi Ramës është arsyeja e sulmit që na u bë ne të premten.

Kjo frikë, ky alarm, që nxit dikë të helmojë popullin e tij është veçse karburant për zjarrin e misionit tonë në shpëtimin e Shqipërisë. Por njëkohësisht kjo frikë, ashtu si me të gjithë diktatorët që përmenda, është shenja dalluese e kapitullimit të tyre. Ne nuk dorëzohemi”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë