Politike

Paketa e Maleve/ Rama: I jep zgjidhje problemit që ka lindur me ligjin 7501! 

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama në një takim me përfaqësues të agroturizmit në kryeqytet shpjegoi më shumë detaje nga nisma e qeverisë ‘Paketa e Maleve’, e cila sipas tij nuk ka për qëllim të ndihmojë kompanitë e mëdha, apo të japë territore publike për zhvillime private.

Rama tha se Paketa e Maleve ka lindur si nevojë për t’i dhënë zgjidhje një problemi që e ka origjinën te ligji 7501 dhe te konfliktet për pronat mes shumë familjeve, kryesisht në veri të vendit.

Sipas tij ‘Paketa e Maleve’ është një zgjidhje për të gjithë ata individë që e kanë të pamundur që të investojnë në tokat e tyre, për shkak se nuk kanë një titull pronësie.

Rama tha se përmes ‘Paketës së Maleve’, personat që s’kanë titull pronësie do të mund të investojnë në tokat e tyre përmes një aplikimi drejtpërdrejtë pranë bashkisë.

“Problemi i trashëguar është që këta njerëz e kanë të pamundur të kenë akses në financa dhe të ndërtojnë në mënyrë të ligjshme, sepse nuk kanë një titull pronësie. Ne bëmë një përpjekje për ta adresuar këtë problem në një lidh të ri që quhet 20/20. Ligji për të cilin u desh shumë kohë që të formulohej dhe nuk na e dha atë efekt që do të duhet të jepte, sepse prezumon dakordësinë me shkrim të të gjithë atyre rreth e rrotull dhe për këtë arsye lindi Paketa e Maleve.

Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se shumë shqiptarë që janë në emigracion, apo që janë në qytet, kanë toka apo shtëpi të vjetra, të cilat duan t’i zhvillojnë, por s’kanë asnjë mundësi t’i zhvillojnë, sepse edhe sikur të kenë paratë, nuk marrin dot leje, sepse nuk kanë titullin e pronësisë. Me ‘Paketën e Maleve’ kjo bëhet e mundur duke aplikuar drejtpërdrejtë pranë bashkisë”, vijoi më tej Rama.

Pas aplikimit në bashki, sipas tij do të pritet 45 ditë nëse dikush dërgon një kundërshti të argumentuar dhe nëse nuk ndodh, atëherë Paketa e Maleve parashikon që investimi të realizohet.

Rama shpjegoi se vetëm pas realizimit të investimit, i zoti i tokës do të mund të marrë titullin e pronësisë. Dhe në rast se më pas del dikush që pretendon se toka është e tij, bën padi në gjyq dhe fiton, sipas kryeministrit do të jetë shteti që do të bëjë kompensimin e tij.

“Bashkia e merr këtë shprehje interesi, afishon në listë për 45 ditë, dhe e bën publike që cilido që pretendon të kundërtën… Ligji u shërben atyre që janë në toka të të parëve që nuk kanë konflikte. Dhe ka shumë të tilla. Në 45 ditë duhet të vijë një kundërshti e argumentuar.

Nëse nuk vjen, lista kalon në Këshillin Bashkiak. Këshilli Bashkiak e miraton dhe personi e çon aplikimin në… Ky aplikim vlen vetëm për një gjë, vlen vetëm për të aplikuar për të marrë leje për një projekt. As nuk mund ta marrësh tokën ta shesësh, as nuk mund ta japësh me qira, as nuk merr titull pronësie. Pasi miratohet projekti, ti ndërton. Vetëm pasi ke përfunduar ndërtimin, jo përpara, ti merr titullin e pronësisë. Nuk mund të gëzosh një titull pronësie pa e investuar atë tokë.

Nëse në një kohë X, shfaqet dikush tjetër që pretendon të jetë pronari, shkon në gjyq dhe ai fiton, ti nuk merresh me atë, por merret shteti. Kjo është trajektorja që ndjek kjo paketë. Është shumë pro biznes”, përfundoi kryeministri Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë