Nga Gazeta ‘Si’- Policia ka njoftuar se gjatë protestës së zhvilluar mbrëmjen e kaluar, më 17 prill, nga Partia Demokratike në Tiranë, janë arrestuar në flagrancë 11 persona dhe janë proceduar penalisht 15 të tjerë, pas incidenteve të dhunshme.
Sipas njoftimit zyrtar, disa protestues kanë hedhur molotovë dhe lëndë piroteknike në drejtim të godinës së Kryeministrisë dhe ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët ishin të angazhuar për garantimin e rendit publik.
Si pasojë, 5 efektivë policie janë plagosur dhe kanë marrë mjekim në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprime të paligjshme gjatë tubimit, ndërsa në procedim është përfshirë edhe një deputet i dyshuar për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullim të paligjshëm.
Fjala është për deputetin Klevis Balliu, ndërkohë që po procedohet penalisht edhe ish-kandidati për deputet Aulon Kalaja, i cili mbeti i lënduar pas përplasjes me uniformat blu.
Në kuadër të hetimeve, janë identifikuar dhe arrestuar disa persona të përfshirë në aktet e dhunës, të akuzuar për vepra të ndryshme penale si “goditje për shkak të detyrës”, “prishje të qetësisë publike”, “shkatërrim prone me zjarr” dhe “kundërshtim të punonjësit të rendit publik”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje