Nga Gazeta ‘Si’– Elisa Spiropali sot na tregoi dy qeveri.
Njëra kur ishte ajo dhe tjetra kur nuk ishte.
Reklamuesja me më pa fre dhe shprehje butaforike e meritave të qeverisë e posaçërisht kryeministrit Edi Rama, sot u shfaq si kosumatori më i pakënaqur me mallin politik qe po konsumon kur ajo vetë ishte pjesëtare e procesit të prodhimit, në pjesën e paketimit..
Në dalje publike e në debate parlamentare ajo me kreshendo krenarie e përshkruante PS-në si forcën kryesore të stabilitetit politik dhe integrimit europian të vendit.
Atëbotë, gjuha e saj ishte shumë më e drejtpërdrejtë dhe entuziaste. Rama nuk ishte thjesht kryeministër, por figurë historike e gati mitike në narrativën politike që ajo ndërtonte.
Por tashmë ajo nuk po identifikohet më me diskursin e mazhorancës.
Që prej shkarkimit të saj si ministre e Jashtme, reagimet e Elisa Spiropalit nuk kanë ardhur si një stuhi e çastit, por si një krisje që ka ardhur duke u thelluar në heshtje.
Gjithçka nisi nga debati me Berishën në Kuvend, kur tha se ndihej e keqardhur që largimin nga posti ia kishte parashikuar ai.
Kjo deklaratë i dha opozitës një moment të lehtë për kundërsulm dhe nxori në pah një klimë që po bëhet gjithnjë e më e dukshme brenda Partisë Socialiste.
Kur replika të tilla dalin në sallën e Kuvendit, kur opozita flet me siguri për rivalitetet brenda mazhorancës dhe kur vetë eksponentët e saj reagojnë në mënyrë emocionale ndaj këtyre provokimeve, krijohet përshtypja se disa nga konjukturat që e kanë mbajtur të bashkuar PS-në po fillonin të dobësoheshin.
Por megjithatë, Spiropali jo vetëm u duk se ‘nuk e vrau shumë mendjen’ që ekspozoi këtë klimë brenda PS-së, por vijoi linjën e reagimeve të saj.
Sot, ajo flet për institucione që po përdoren si “instrumente presioni” dhe për një atmosferë ku zërat kritikë nuk duhen heshtur.
Nëse PS, referuar saj, deri vitin e shkuar ishte busulla që orientoi Shqipërinë drejt procesit të integrimit, sot ajo e konsideron një parti që po zëvendësohet nga një strukturë fosile.
Kjo është një deklaratë që sugjeron një distancim të kujdesshëm nga mënyra si funksionon sot pushteti, ose të paktën nga mënyra si ai perceptohet brenda mazhorancës.
Megjithëse ajo u kujdes të theksojë kjo situatë nuk lidhet me individin, konfliktin apo një mosvotim në Kuvend (që i referohet mungesës së saj në seancën parlamentare për imunitetin e Belinda Ballukut) zërat nëpër korridore sugjerojnë të kundërtën.
Sipas burimeve, në një mbledhje me dyer të mbyllura të zhvilluar në mars, pati përplasje dhe tensione mes Ramës dhe Spiropalit aq sa Rama iu drejtua me fjalët “do të të nxjerr jashtë”.
Kaq duket se mjaftoi që diskursi i Spiropalit të ndryshojë. Në këtë version të ri të narrativës të saj, na lindin disa pyetje.
A po flet sot Spiropali për një realitet që ka ekzistuar gjithmonë, por që nuk është thënë më parë?
A kemi të bëjmë me një reflektim politik, apo me një reagim personal ndaj presionit?
Dhe më e rëndësishmja: nëse institucionet qenkan “instrumente presioni” sot, çfarë ishin ato dje, kur ajo vetë i mbronte me aq forcë?
Ndoshta përgjigjja nuk qëndron vetëm te ajo që thotë Spiropali kur do të na tregojë se nuk po fsheh gjë. Tani vështirë të besosh se ajo nuk po fsheh prapë gjëra edhe kur duket sikur thotë të pathënat e dikurshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje