Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masat e sigurimit “arrest në burg” ndaj Lulzim Pepajt, Florian Markut dhe Anton Kolës, të cilët akuzohen si pjesë e një grupi kriminal për trafikimin e 7.5 tonëve kokainë nga Amerika Latine në Europë.
Grupi që dyshohet se drejtohej nga Jetmir Pepa, i shpallur në kërkim, akuzohet për trafik ndërkombëtar kokaine, ndërsa i janë sekuestruar 232 pasuri me vlerë me vlerë 12 milionë euro.
Grupi u godit të mërkurën gjatë një operacioni policor, ku në total u firmosën 11 urdhër-arreste. Sipas SPAK, janë dokumentuar 8 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha nga Amerika Latine në vendet evropiane, kryesisht në Holandë. Në kërkim u shpallën edhe 7 të tjerë, disa prej cilëve nuk ndodhen në territorin shqiptar.
Sekuestrimet që i janë bërë këtij grupi përfshijnë biznese në Tiranë, Lezhë dhe qytetet e tjera të vendit, sipërfaqe toke, hotele, poste parkimi dhe apartamente, si dhe 89 makina të llojeve të ndryshme dhe llogari bankare.
Ky grup e kishte shtrirë aktivitetin kriminal në Amerikën Latine, Belgjikë dhe Holandë, ku janë dokumentuar rastet e trafikimit.
Droga eksportohej kryesisht nga Peruja dhe Ekuadori në drejtim të portit të Roterdamit. Kokaina fshihej kryesisht në enë frigoriferike që përmbanin lëngje frutash të ngrira apo konserva me peshk ton.
Goditja e këtij grupi kriminal u bë falë bashkëpunimit me Eurojust, Europol, autoritetet gjyqësore franceze, holandeze dhe britanike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje