Gazeta Si – Përmes adresave fiktive dhe pseudonimeve, grupi mashtrues i “Call Center”-ave, i goditur në Tiranë, iu ka zhvatur të paktën 50 milionë euro qytetarëve të BE.
Këtë të enjte, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e prokurores Rovena Zoto dhe la në “arrest me burg” 4 të dyshuar për mashtrimin e qindra qytetarëve evropianë, nga të cilët u përvetësuan gati 50 milionë euro përmes mashtrimit kompjuterik me “Call Center”.
Gjykata la në arrest në burg Tedi Agastrën, Mateo Hoxhën, Xhoel Mekollin, Eduart Dallën, ndërsa dy të tjerë qëndruan nën masën “ndalim për të dalë jashtë vendit”.
Ndërkohë, të premten do të shqyrtohen masat ndaj të arrestuarve të tjerë, po ashtu nën hetim për mashtrim kompjuterik.
Prokuroria e Tiranës, sqaron se si funksiononte skema e mashtrimit të “Call Center”. Operatorët ishin të ndarë në grupe të ndryshme sipas gjuhëve (gjermanisht, anglisht, italisht) dhe synonin tregje të caktuara ndërkombëtare.
Çdo grup përbëhej nga 6-8 agjentë dhe mbikëqyrej nga drejtuesi që i monitoronte. Puna e personave që zotëronin gjuhën Italiane, konsistonte në kryerjen e telefonatave të qytetarëve italianë, ku i ofronin shërbimin e rekuperimit të parave, të cilat i kanë humbur në investime të mëparshme në ‘trading online’ dhe në rast se personat ishin të interesuar, i udhëzonin më pas të hapnin një llogari në “Coin Baze”, me depozitim fillestar 500 Euro.
Detyra e operatorëve ishte vetëm të bindnin klientët për të bërë pagesën fillestare prej 500 euro dhe paga mujore e tyre ka qenë rreth 800 euro, të cilën një pjesë e merrnin në dorë dhe pjesën tjetër në bankë. Secili prej punonjësve kishte username dhe vepronin me pseudonime.
Këto “Call Center”-a funksiononin me një nivel të lartë organizimi, ndarje të qartë të detyrave dhe kontroll hierarkik, duke i ngjarë strukturave të bizneseve legjitime.
Ky organizim profesional mundësonte mashtrime në shkallë të gjerë, ndërkufitare dhe dyshohet se kanë kryer mashtrim me shuma të mëdha në Vjenë dhe qytete të tjera në Austri nga periudha 15 qershor 2023 deri më 30 korrik 2024.
Operatorët nxisnin qytetarët nga vendet e ndryshme nëpërmjet paraqitjes së rrethanave të rreme, për të besuar se shumat e transferuara do të investoheshin realisht. Sipas prokurorisë, nga ky aktivitet i paligjshëm janë përfitiar më shumë se 50 milionë euro.
Organi i akuzës, thekson se operatorët përdorin adresa të ndryshme fiktive për të mashtruar shtetasit europiane.
“Skuadra e përbashkët hetimore e krijuar në shtator 2025, midis Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe Prokurorisë së Vjenës, arriti të dokumentojë transaksionet e kryera në dëm të shtetasve austriakë të dëmtuar. Nga hetimet rezultoi se subjektet, “IOTA Netëork”, “Victory Communication”, “Espiron Studio”, “Zeta Studio”, “Upstream creative” dhe “Koppa Netëork” janë të lidhur me njëri-tjetrin si nga numri i telefonit i lënë në QKB, adresat e e-mailit dhe adresat e ushtrimit të aktiviteteve dhe në pjesën më të madhe dyshohet se janë fiktive dhe kanë operuar si call-center-a. Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këto skema mashtruese”, njofton më tej prokuroria.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje