Drejtësia

2 mln euro dëm/ SPAK godet ‘Call Center’-in në Tiranë. Arrestohet një person

Nga Gazeta ‘Si’- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me autoritetet franceze dhe Xhandarmërinë e Pau, ka zhvilluar një operacion të përbashkët hetimor, në kuadër të një çështjeje për mashtrime kompjuterike me investime në kriptomonedha.

Në kuadër të këtij operacioni janë kryer kontrolle në një qendër thirrjesh dhe në katër banesa në Tiranë, si pjesë e një hetimi ndërkombëtar të koordinuar përmes Eurojust. Hetimet lidhen me një skemë mashtrimi që dyshohet se ka prekur qytetarë francezë përmes investimeve fiktive në platforma kriptovalutash.

Sipas të dhënave hetimore, viktimat janë kontaktuar nga persona me identitete të rreme, të cilët i kanë bindur të investojnë në një platformë online të quajtur “Universal Trade”, duke u shkaktuar humbje të konsiderueshme financiare. Dëmi i dokumentuar deri tani arrin në mbi 2 milionë euro në total për disa viktima të identifikuara.

Hetimet kanë zbuluar se fondet e përfituara nga mashtrimi janë transferuar përmes portofolave të kriptomonedhave, ku janë identifikuar edhe disa shtetas shqiptarë të dyshuar si të përfshirë në procesin e lëvizjes së parave.

Sipas SPAK, këta persona dyshohet se kanë hapur dhe administruar portofole kriptovalutash me qëllim transferimin e fondeve të përfituara nga aktiviteti kriminal. Në këtë kuadër, një shtetas shqiptar është ndaluar me urdhër të prokurorit, ndërsa të tjerë janë marrë në pyetje.

Gjatë operacionit janë sekuestruar pajisje kompjuterike, telefona celularë, portofola elektronikë të kriptomonedhave, dokumente të ndryshme, si dhe shuma parash në disa valuta, përfshirë euro dhe dollarë.

Autoritetet shqiptare dhe franceze po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrjetin e dyshuar kriminal dhe për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë në këtë skemë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë