Drejtësia

Pengmarrësit e biznesmenit lihen në burg, pretendojnë se u kishte 60 mijë euro borxh

Gazeta Si – Dy vëllezërit, Jurgen dhe Kevin Neza dhe kushëriri i tyre, Hysen Neza, janë lënë në burg, pasi akuzohen se morën peng ndërtuesin Florjan Sula pak ditë më parë duke e dhunuar në një magazinë në Xhafzotaj të Durrësit.

Tre të arrestuarit nuk kanë folur në sallën e gjyqit, por avokati i tyre mbrojtës, Ferdinand Cakaj ka pretenduar se ata nuk e kanë marrë peng Sulën. Cakaj ka pohuar se biznesmeni i kishte atyre një borxh prej 60 milionë lekë dhe se e morën me automjet për t’u sqaruar.

Mbrojtja pretendoi se klientët e tij, kur kanë konstatuar se Florjan Sula ka qenë në pamundësi financiare për t’i kompensuar shumën e parave, e kanë lënë të lirë.

Njëri prej tyre, theksoi mbrojtja, është vetëdorëzuar pasi mësoi që ishte në kërkim, ndërsa dy të tjerët kanë qenë në momente depresioni dhe nën efektin e lëndëve narkotike, por nuk paraqiti dokumentacion në gjykatë për të vërtetuar këtë pretendim.

Tre të arrestuarit pak ditë më parë, u prezantuan si agjentë të BKH dhe rrëmbyen 32-vjecarin, të cilin e mbajtën për disa orë peng në një subjekt privat në Xhafzotaj.

Sipas hetimeve paraprake, në 31 mars tre të rinjtë rrëmbyen, dhunuan dhe i kërkuan Florjan Sulës 2 milionë euro në këmbim të lirimit të tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë