Drejtësia

Operacioni i SPAK, në pranga 3 persona. Sekuestrohen pasuri me vlerë 12 milionë euro

Nga Gazeta ‘Si’ –  Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, këtë të mërkurë, 15 prill, ka finalizuar një operacion kundër një grupi të strukturuar kriminal ndërkombëtar lidhur me trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan tre persona, ndërsa tetë të tjerë janë shpallut në kërkim. Disa prej këtyre të fundit nuk ndodhen në Shqipëri.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK-ut, ky grup ka operuar në Amerikën Latine, Belgjikë dhe Holandë dhe janë dokumentuar të paktën tetë episode të trafikut të kokainës në sasi të mëdha.

8 EPISODET E TRAFIKUT TË LËNDËS NARKOTIKE

Episodi i parë, janar-mars 2020

Trafikimi i një sasie të konsiderueshme lënde narkotike kokainë gjatë periudhës janar-mars 2020. Nga kjo sasi, më 21 mars 2020 u sekuestrua 8.5 kg në qytetin e Amsterdamit të Mbretërisë së Holandës.

Episodi i dytë, 7-8 prill 2020

Trafikimi i një sasie prej 1,018 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, nga Peruja drejt Portit të Roterdamit të Hollandës. Ngarkesa kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije kolumbiane ndërsa lënda narkotike ishte fshehur në një enë frigoriferike që përmbante lëng frutash të ngrira. Vlera e shitjes ishte mbi 1.3 milionë euro.

Episodi i tretë, 6 qershor 2020

Trafikimi i një sasie prej 2020 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, nga Ekuadori drejt Portit të Roterdamit të Hollandës. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador dhe ishte e destinuar për një kompani në Hungari. Një pjesë e kësaj ngarkese i përkiste këtij grupi kriminal.

Episodi i katërt, 26 qershor 2020

Tentativa e trafikimit të një sasie prej 516 kg lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në Terminalin Portual Muelle Sur, DP World Callao, Peru, si dhe e destinuar për në Mbretërinë e Hollandës.

Episodi i pestë, 30 qershor 2020

Trafikimi i një sasie prej 500 kg lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në Portin e Roterdamit, që kishte ardhur në një kontejner nga Kolumbia që përmbante konserva me peshk ton dhe ishte i destinuar për një kompani në Gjermani.

Episodi i gjashtë, 7 gusht 2020

Trafikimi i një sasie të konsiderueshme lënde narkotike e llojit kokainë, e llogaritur në rreth 1600 kg, prej së cilës u sekuestruan104 kg po në të njëjtën datë në autostradën nr. A2 pranë qytetit Abcoude të Mbretërisë së Holandës.

Episodi i shtatë, 16 gusht 2020

Trafikimi i një sasie rreth 1100 pako me peshë bruto 1238,39 kg lënde narkotike, lloji kokainë, e cila ishte ishte fshehur në një ngarkesë me banane në një kontenier që vinte nga Ekuadori drejt Portit të Roterdamit në Hollandë dhe kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare e ardhur nga Porti i Antwerp, e destinuar për një kompani në Hagë.

Episodi i tetë, 1-2 tetor 2020

Trafikimi i një sasie prej 531 kg lënde narkotike kokainë në Portin e Roterdamit, Hollandë, sasi e cila është kapur nga autoritetet holandeze, e fshehur në një kontenier të ngarkuar me rrush të thatë, i destinuar për në Suedi.

SEKUESTRIMET (në vlerën 12 milionë euro)

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më 14 prill 2026, ka vendosur caktimin e masës së sekuestros preventive në lidhje me 232 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në pronësi të drejtëpërdrejtë, apo të tërthortë të personave nën hetim.

Bëhet fjalë për pasuritë:

-Pasuritë e Shoqërisë “P… GROUP”, sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.

-Kuotat e Shoqërisë “HEC A…I”sh.p.k, me seli qendrore në Fierzë, Bashkia Fushë Arrëz në masën 33.30 % , të cilat i përkasin ortakut “P… GROUP” sh.p.k.

-Kuotat e Shoqërisë “B….V”, sh.p.k, me seli qendrore në Lezhë, fshati Fang, Rubik, në masën 50.00 %, të cilat i përkasin ortakut “P… GROUP” sh.p.k.

-Kuotat e Shoqërisë “Sh……i 2013”, sh.p.k, me seli qendrore në Shëngjin, Lezhë, në masën 50.00 %, të cilat i përkasin ortakut L.P.

-Pasuritë e Shoqërisë “O….. Hotel”, sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.

-Pasuritë e Shoqërisë “M….. N… A………”, sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.

-Pasuritë e Shoqërisë “E…… AL”, sh.p.k, me seli qendrore në Ishull-Shëngjin Lezhë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.

60 pasuri të paluajtshme të llojeve tokë arë, tokë truall, hotel, poste parkimi dhe apartamente, me vendndodhje në Tiranë, Kamëz, Lezhë, Shëngjin, Sarandë dhe Himarë.

89 automjete të markave dhe llojeve të ndryshme (automjete teknologjike për ndërtim, transport mallrash apo autovetura).

72 llogari bankare që u përkasin personave të ndryshëm juridikë apo fizikë, si dhe shtetasve nën hetim, apo personave të lidhur me ta.

VEPRAT PENALE

Ky operacion është zhvilluar nga SPAK, në bashkëpunim me Eurojust, Europol, Francën, Holandën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Personat e dyshuar akuzohet për veprat penale:

“Trafikimit të lëndëve narkotikëve” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të struktura kriminal,

“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të struktuar kriminal,

“Grupi i strukturuar Kriminal”

“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal“, të parashikuar nga nenet, 283/a e 28/4, 287 e 28/4, 333/a dhe 334,  të K.Penal.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë