Drejtësia

Zjarri në kompleksin e banimit, policia: Katër të arrestuar, procedohet pronari i pallatit

Nga Gazeta Si- Policia ka arrestuar administratorin e pallatit të kompleksit në zonën e njohur si ‘Farmacia 10’ në kryeqytet, ku ra zjarr ditën e djeshme.

Gjithashtu janë arrestuar dhe menaxherja e marketit nga ku dyshohet se ka nisur zjarri, si edhe E.A., inxhinieri i kompanisë dhe A.F., kontraktori që ka bërë fasadën, ndërsa nën hetim është vënë ndërtuesi.

A. C., 54 vjeç, administratori i kompleksit të pallateve, akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

R. S., 54 vjeçe, menaxherja e marketit në katin e parë të kompleksit, akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

E. A., 66 vjeç, inxhinier drejtues i punimeve për ndërtimin e këtij kompleksi, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

A. F., 46 vjeç, administratori i subjektit që ka bërë punimet për fasadën e kompleksit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Gjithashtu, ka nisur hetim penal për A. L., 48 vjeç, pronari i kompleksit të pallateve, Sh. B., 41 vjeç, i kontraktuari për ndërtimin e kompleksit si dhe S. A. e E. M., punonjëse në market, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se në ambientin e pasëm të marketit që menaxhonte R. S., ka rënë zjarr në një vend ku ishin grumbulluar mbeturina ku, sipas policisë, ajo nuk kishte marrë masa për heqjen e tyre.

Gjithashtu, A. C., administrator i kompleksit të banimit, dyshohet se nuk ka kontrolluar funksionalitetin e masave mbrojtëse për zjarrin dhe shpëtimin.

Nga flakët u dëmtuan 11 punonjës të DPMZSh-së dhe banore të pallatit, të cilët vijojnë të marrin mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë