Nga Gazeta ‘Si’ – Deklarata e kryeministrit Edi Rama se pallati i përfshirë nga flakët do të rindërtohet nga ndërtuesit, ndonëse, sipas tij, shkaku i zjarrit nuk lidhet me ndërtimin, është një qëndrim i pazakontë që, më shumë sesa qartëson situatën, ngre disa pikëpyetje.
Kjo garanci publike e tij, ku vendos paraprakisht një barrë morale dhe financiare mbi kompaninë ndërtuese, në një kohë kur shkaqet e plota të zjarrit nuk janë bërë ende publike, na shtyn të mendojmë që ‘lepuri mbase fle diku tjetër’.
Nëse ngjarja nuk ka ardhur si pasojë e një defekti strukturor, materiali të papërshtatshëm apo mangësie në zbatimin e projektit, përse duhet që kostoja e rindërtimit të bjerë mbi ndërtuesit?
A mund të caktohet publikisht kush do të paguajë faturën, pa dalë ende ekspertiza?
Cili ndërtues do të pranonte të merrte përsipër një kosto kaq të madhe financiare, nëse nuk do të kishte asnjë përgjegjësi reale në këtë histori?
Vetë fakti që Rama flet me kaq siguri për një faturë të tillë, krijon përshtypjen se ekziston një përgjegjësi që ende nuk është bërë publike dhe na shtyn të mendojmë në dy drejtime.
Së pari, që institucionet mund të kenë indicie paraprake për shkelje në standardet e sigurisë, sistemet kundër zjarrit apo në kolaudimin e godinës.
Në raste të tilla, fillimisht duhet të hetohen shkaqet, mandej të nxirren përgjegjësitë dhe vetëm në fund të përcaktohet kush mban barrën financiare.
Dyshimet nuk mund kurrsesi të kufizohen vetëm te shkaku i flakëve, siç pretendon Rama, por duhet të shtrihen te i gjithë zinxhiri i sigurisë së objektit: A funksiononte sistemi kundër zjarrit?
A ishin materialet e përdorura sipas standardeve? A ishte objekti i kolauduar realisht sipas projektit? A kishte dalje emergjence dhe masa mbrojtëse të certifikuara?
Nëse përgjigjja për ndonjërën prej këtyre pyetjeve është negative, atëherë kemi të bëjmë me një problem shumë më të madh sesa vetë zjarri dhe faji i ndërtuesit: me dështimin e kontrollit shtetëror.
Një pallat i tillë nuk ndërtohet në vakum. Ai kalon përmes lejeve, inspektimeve, kolaudimeve dhe miratimeve të institucioneve publike.
Pra, nëse ka pasur shkelje, përgjegjësia nuk mund të reduktohet automatikisht vetëm te ndërtuesi, pa u sqaruar edhe roli i institucioneve që kanë firmosur dhe mbikëqyrur çdo hallkë të procesit.
E dyta, deklarata e Ramës gjithashtu rreket të japë një mesazh qetësues për banorët.
Duke theksuar se godina do të rikthehet në gjendjen e mëparshme, ai synon dhe të ulë tensionin publik dhe pasigurinë që zakonisht shoqëron ngjarje të tilla.
Megjithatë, një deklaratë e tillë nuk është një precedent i parëndësishëm.
Ajo mund të shihet si presion ndaj hetimit dhe sakaq edhe si ndërhyrje politike në një proces që, në thelb, duhet t’u takojë ekspertëve dhe institucioneve ligjzbatuese.
Kur Kryeministri del publikisht dhe përcakton se kush do të mbajë barrën e pasojave, ai jo vetëm që krijon një perceptim të menjëhershëm në opinionin publik, por vendos edhe një lloj orientimi politik për hetimin.
Mesazhi publik është se tashmë dikush është vendosur në qendër të përgjegjësisë.
Kjo e vendos ‘de facto’ kompaninë ndërtuese në pozitën e një “fajtori moral” para se të ketë një konkluzion teknik.
Sakaq, i jep politikës rolin e arbitrit në një çështje që duhet të trajtohet me ekspertizë dhe procedura.
Ky precedent bëhet edhe më i dukshëm po të krahasohet me raste të mëparshme, si zjarri te ish-Parku i Autobusëve, ku nuk pati një reagim të tillë të drejtpërdrejtë nga Rama për të caktuar barrën e rindërtimit.
Pikërisht kjo e bën reagimin e Ramës edhe më të pazakontë: pse në këtë rast u ndje nevoja për të folur shpejt dhe për të caktuar menjëherë cili do paguajë faturën?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje