Nga Gazeta ‘Si’– Gjykata Kushtetuese ka zbardhur këtë të mërkurë vendimin që pranoi pjesërisht kërkesën e gjyqtarëve për rritje të pagave të tyre.
GJK vendosi që paga e gjyqtarëve nuk mund të ulet, por ia la si detyrë Kuvendit të bëjë ndryshimet ligjore.
Ndërsa sot ka publikuar argumentet e plota të marrjes së këtij vendimi i marrë me një dakordësi 7-1, ku i vetmi që ka kërkuar rrëzimin e kërkesës së gjyqtarëve ka qenë Gent Ibrahimi.
Kuvendi do duhet të miratojë ndryshimet ligjore brenda korrikut të këtij viti.
“Gjykata vlerëson se i takon Kuvendit të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme, sipas arsyetimit të këtij vendimi, që të shmangë uljen e fshehur dhe ta përshtasë pagën e magjistratëve në raport të drejtë me rritjet e tjera dhe detyrën e funksionin, gjë e cila duhet të realizohet brenda datës 31.07.2026.
Kuvendi mund të zgjedhë të përshtasë formulën e re në mënyrë që të riparojë uljen e fshehtë ose duke iu referuar ndryshimit që pësoi kategoria e nëpunësve civilë në të cilët referonte formula e vjetër ose ndryshimit që pësoi paga e Presidentit, ose çdo zgjidhjeje tjetër të krahasueshme me ndryshimet e kategoritë e mësipërme dhe brenda limiteve të tyre, gjithnjë në respektim të garancive të nenit 138 të Kushtetutës, duke mbajtur në vëmendje edhe faktin që inflacioni dhe situata ekonomike kanë efekt të njëjtë mbi të gjitha kategoritë e punonjësve, pavarësisht detyrës dhe funksionit që kryejnë”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Kujtojmë se debati për çështjen u “ndez” sidomos pasi dy shoqata gjyqtarësh kërkuan rritje të pagave.
Kryeministri Edi Rama reagoi ashpër duke thënë se pagat e tyre janë më të larta se të gjyqtarëve në Greqi dhe dyfish më tepër se ata në rajon. Madje, kreu i qeverisë e tha me bindje se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk do të rriten për sa kohë ai të jetë kryeministër.
Nga ana tjetër, gjyqtarët kërkuan që pagat e tyre të indeksohen automatikisht sa herë rriten pagat në sektorë të tjerë shtetërorë, duke e konsideruar këtë si garanci kushtetuese të pavarësisë së gjyqësorit.
Deklaratave të Ramës u janë përgjigjur duke theksuar se “po linçohen publikisht”.
Qëndrimi i kreut të ekzekutivit nxiti një reagim edhe të Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, e cila foli për një fushatë të qëllimshme presioni publik dhe politik ndaj një procesi që aktualisht ndodhet në shqyrtim në Kushtetuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje