Gazeta Si – Seanca për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj ka dështuar sërish këtë të mërkurë dhe shkak është bërë mospjesëmarrja e tij, pasi nuk u njoftua nga Drejtoria e Burgjeve. Seanca e radhës ndaj tij do të zhvillohet në 27 prill, ora 12:00.
Gjatë seancës, avokati i Veliajt, Plarent Ndreca ngriti shqetësimin për mungesën e njoftimit të të pandehurit dhe vijimin e procesit në këto kushte.
“Së pari ju duhet të garantoni të drejtën e çdo të pandehuri për t’u njoftuar dhe po ashtu fakti që zoti Veliaj nuk e ka shprehur vullnetin e tij nëse do të marrë pjesë në seancën e sotme. Mendoj që nuk mund të vijojë gjykimi. Ndërsa për sa u përket 24 fashikujve që ju si gjykatë theksoni që janë fashikuj që lidhen me njoftimin e akuzës, për të pandehurit e tjerë. Ne kërkojmë çdo fashikull se janë të pandehur në një procedim të lidhur.”
Prokurori i Posaçëm, Altin Dumani i mori në konsideratë rrethanat e relatuara nga avokati, dhe ka theksuar se i pandehuri nuk është njoftuar pavarësisht urdhrit të gjykatës, duke shtuar se Drejtoria e Burgjeve nuk e ka zbatuar atë.
Ai ka kërkuar që institucioni të japë shpjegime, pasi kjo nuk është hera e parë që ndodh dhe se mosnjoftimi po bëhet shkak për shtyrjen e seancave. Dumani ka kërkuar gjithashtu që, në rast shtyrjeje, të caktohet një datë sa më e afërt.
Nga ana e saj, gjykata ka konstatuar moszbatimin e urdhrit dhe ka theksuar se kjo çështje duhet sqaruar nga Drejtoria e Burgjeve, duke nënvizuar se Erion Veliaj nuk është paraqitur në asnjë seancë deri më tani.
Sipas trupit gjykues, institucioni përgjegjës duhet të japë shpjegime për moszbatimin e urdhrit gjyqësor. Seanca e radhës është caktuar më 27 prill, në orën 12:00.
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej datës 10 shkurt të vitit të kaluar. Mbi të rëndojnë akuzat për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje