Dokumentar

‘Më beso mua: Profeti i rremë’ – Historia e vërtetë pas dokumentarit tronditës në Netflix

Dokumentari më i ri i Netflix, “Trust Me: The False Prophet”, më shumë se sa një rrëfim tradicional i krimit, shfaqet si një përmbajtje e papërpunuar e informacionit. Qindra orë xhirime, përgjime dhe dëshmi të dorës së parë, krijuan një dokumentar me katër seri rreth profetit të vetëshpallur Samuel Rappylee Bateman, që nënshtroi anëtarët e një komuniteti në Arizona. 

Seriali mbështetet fuqimisht në materiale të regjistruara në kohë reale nga studiuesja e kulteve Christine Marie dhe bashkëshorti i saj, videografi Tolga Katas, afërsia e të cilëve me rrethin e brendshëm të Bateman-it u dha hetuesve federalë prova të drejtpërdrejta mbi aktivitetet e tij.

Vakumi në Short Creek

Konteksti i ngritjes së Bateman-it lidhet drejtpërdrejt me fragmentimin e Kishës së Shejtorëve të Vonshë, FLDS, pas dënimit të ish-udhëheqësit Ëarren Jeffs në vitin 2011 për abuzim seksual ndaj dy vajzave, duke u dënuar me burgim të përjetshëm. Edhe pse Short Creek, zona që përfshin Hildale, Utah, dhe Colorado City, Arizona, mbeti një komunitet i formësuar nga besimet e FLDS, përfshirë martesën poligame, nuk ekzistonte më një strukturë e unifikuar udhëheqëse. Sipas rrëfimeve të paraqitura në dokumentar, ky vakum krijoi fraksione konkurruese dhe hapi hapësirë për figura të reja që të merrnin kontroll.

Bateman u shfaq në këtë mjedis. Ish-anëtarë thonë në dokumentar se ai u pozicionua si vazhdim i autoritetit të Jeffs-it, duke pretenduar se Jeffs ishte ose i vdekur ose “i shndërruar”, dhe se çdo komunikim prej tij do të kalonte tashmë përmes Bateman-it. Kjo kornizë i lejoi atij të krijonte legjitimitet pa një trashëgimi formale udhëheqëse.

Konsolidimi i kontrollit

Deri në vitin 2019, Bateman kishte formuar një sekt më të vogël brenda FLDS, i njohur nga ndjekësit si “Samuelites”. Dokumentari përshkruan se si ai përdori një kombinim të gjuhës fetare, izolimit dhe presionit financiar për të konsoliduar autoritetin e tij.

Ndjekësit inkurajoheshin, ose detyroheshin, të demonstronin besnikëri përmes dëshmive, kontributeve financiare dhe, në disa raste, duke i dhënë Bateman-it vajzat e tyre si një nga bashkëshortet e tij në poligami. Disa nga viktimat ishin vetëm nëntë vjeç.

Seriali tregon gjithashtu se si Bateman e zbatonte kontrollin duke ndarë ose zhvendosur familje, duke kufizuar komunikimin e tyre me botën e jashtme dhe duke e paraqitur kundërshtimin si dështim shpirtëror. Gratë dhe vajzat jetonin nën mbikëqyrje të vazhdueshme, shpesh në banesa të përbashkëta të kontrolluara nga Bateman.

Dy lokacione kryesore në Short Creek shfaqen vazhdimisht në pamjet filmike: një rezidencë më e madhe e njohur brenda grupit si “Blue House”, ku Bateman qëndronte me disa prej grave të tij, dhe një pronë tjetër më e mbingarkuar e quajtur “Green House”. Pikërisht në këtë të fundit, filmuesit Marie dhe Katas filluan të identifikonin modele të qëndrueshme shqetësimi mes grave dhe vajzave që jetonin aty.

Qasja e Christine Marie dhe Tolga Katas

Marie mbërriti për herë të parë në Short Creek në vitin 2015 për të ndihmuar në përpjekjet e ndihmës pas një përmbytjeje të rëndë që goditi zonën, dhe më vonë themeloi një organizatë jofitimprurëse për të mbështetur personat e prekur nga trafikimi i qenieve njerëzore, të quajtur Voices for Dignity. Më pas ajo u zhvendos përgjithmonë në Short Creek me Katas për të vazhduar mbështetjen ndaj anëtarëve të FLDS. Përfshirja e tyre fillestare nuk ishte hetimore; megjithatë, prania e vazhdueshme u lejoi të krijonin marrëdhënie brenda komunitetit.

Katas kishte qenë tashmë duke punuar në një dokumentar mbi jetën në komunitetin FLDS, gjë që i dha një arsye të besueshme për të filmuar. Sipas serialit, Bateman ishte në dijeni të projektit dhe shprehu interes për të qenë pjesë e tij, çka lehtësoi aksesin.

Çifti filloi të vizitonte pronat e Bateman-it në vitin 2021. Pamjet e para tregojnë mbledhje të zakonshme, përfshirë vakte dhe ngjarje informale. Me kalimin e kohës, regjistrimet e tyre kapën aspekte më të strukturuara të dinamikës së brendshme të grupit, përfshirë mënyrën si Bateman ndërvepronte me gratë dhe ndjekësit e tij.

Në serial, Marie përshkruan pozicionin e saj brenda grupit: “Isha kaq e besuar. Doja t’i ndihmoja para se të zbulonin se isha një informatore. Nuk po i tradhtoj, po i ndihmoj, apo jo?”.

Christine dhe një nga shumë gratë e “profetit”

Dokumentimi i abuzimit

Me zgjerimin e aksesit, Marie dhe Katas filluan të regjistronin materiale që më vonë u bënë thelbësore për hetimin federal ndaj Bateman-it. Katas grumbulloi pamje të gjera video, ndërsa Marie regjistroi biseda që, sipas dokumentarit, përfshinin referenca të drejtpërdrejta për praktika seksuale që përfshinin të mitur. Në fund të vitit 2021, Marie regjistroi një moment kyç kur Bateman përshkroi atë që e quante “ceremonia e Shlyerjes”, ku pretendonte se “u jepte” gratë e tij ndjekësve dhe urdhëronte marrëdhënie seksuale ndërsa ai vëzhgonte. Ky material iu dorëzua më pas autoriteteve lokale.

Për shkak të burimeve të kufizuara në nivel komunal, çështja iu referua autoriteteve federale. Marie bashkëpunoi me FBI-në si informatore, ndërsa Katas dha prova video dhe ndihmoi me detaje logjistike, përfshirë hartëzimin e pronave të grupit në Short Creek.

Seriali thekson shkallën e përfshirjes së tyre gjatë kësaj periudhe. Ajo që nisi si vizita periodike u shndërrua në angazhim thuajse me kohë të plotë, me Katas që i dha përparësi dokumentimit mbi punë të tjera profesionale.

Disa nga gratë e Samuel

Arrestimet e vitit 2022

Arrestimi fillestar i Bateman-it në gusht 2022 erdhi pas një ndalese trafiku në Arizona. Sipas të dhënave të çështjes, policia reagoi pas raportimeve nga shoferë që vunë re fëmijë brenda një rimorkioje të mbyllur që ai po tërhiqte. Tre vajza u gjetën në rimorkio.

Arrestimi çoi në hetime të mëtejshme, por nuk i dha fund menjëherë aktivitetit të tij. Ai u lirua me kusht, dhe pamje nga dokumentari tregojnë se ai diskutonte për fshirjen e provave digjitale.

Brenda disa javësh, autoritetet federale lëshuan urdhër-arreste të reja për Bateman-in për dyshime për abuzim seksual ndaj të miturve dhe rrëmbim, si dhe urdhër-kontrolle për pronat e tij në Short Creek. FBI organizoi një operacion më të gjerë që përfshinte disa lokacione, përfshirë “Blue House”, “Green House” dhe një magazinë të përdorur nga grupi.

Seriali tregon se Katas mori pjesë në fazën përgatitore të bastisjes duke siguruar pamje ajrore me dron të një prej pronave. Më 13 shtator 2022, ai organizoi një takim me Bateman-in në magazinë nën pretekstin e një interviste filmike. Pak pas mbërritjes së Bateman-it, agjentët e FBI-së hynë dhe e arrestuan.

Operacioni u shtri njëkohësisht në disa prona të tjera, duke çuar në arrestimin e disa ndjekësve të tij.

“Profeti” Samuel Bateman

Akuzat federale dhe dënimi

Në prill 2024, Bateman pranoi fajësinë për konspiracion për transportimin e një të miture për aktivitet seksual kriminal dhe konspiracion për rrëmbim. Çështja tregoi se aktivitetet e tij shtriheshin në disa shtete, përfshirë Arizona, Utah, Colorado dhe Nebraska.

Sipas prokurorëve federalë, ndjekësit e tij ndihmuan abuzimin duke transportuar të mitur, duke organizuar aksesin dhe, në disa raste, duke marrë pjesë drejtpërdrejt. Pas arrestimit, disa anëtarë të grupit u përpoqën të largonin viktimat nga kujdestaria shtetërore, duke i transportuar përtej shteteve derisa u gjetën dhe u kthyen.

Më 9 dhjetor 2024, Bateman u dënua me 50 vjet burg dhe mbikëqyrje të përjetshme pas lirimit. Disa bashkëpandehur gjithashtu janë dënuar ose kanë pranuar fajësinë.

Çfarë ndodhi me viktimat

Pas arrestimit, të miturat e identifikuara u larguan nga grupi i Bateman-it dhe u vendosën nën kujdesin e Departamentit të Sigurisë së Fëmijëve në Arizona.

Në nëntor 2022, disa ndjekës të tij organizuan një përpjekje për t’i marrë vajzat nga kujdestaria. Tetë prej tyre u transportuan nga Arizona përmes Kalifornisë deri në Uashington, para se të lokalizoheshin dhe të ktheheshin nën kujdestari shtetërore.

Vajzat mbetën nën mbrojtjen e shtetit ndërsa proceset ligjore vazhduan, me dëshmitë dhe provat e rikuperuara që u bënë pjesë kyçe e çështjes./TheTimes


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë