Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka bindjen se kur vendi qeveriset nga një bandë plaçkitësish mbetet vetëm mosbindja civile. Edhe Henry David Thereau në librin e tij “Resistance to Civil Government argumenton se individët nuk duhet t’u lejojnë qeverive të sundojnë apo atrofizojnë ndërgjegjen e tyre…
Po e ka lexuar Basha këtë libër?
Mosbindje civile është një nga togfjalëshat e dëgjuar më së shumti nga lideri i Opozitës, kur iu bëri thirrje qytetarëve pas incidenteve që ndodhën në vijim të protestës në Rrugën e Kombit dhe arrestimeve që iu bënë 23 qytetarëve të Kukësit.
Protesta masive – si ato në akset kryesore kombëtare – të cilat do të përshkallëzonin deri në mosbindje civile .
Basha është dëgjuar shpesh prej asaj dite t’u bëjë thirrje qytetarëve të bllokojnë rrugët, të mos paguajnë taksat e rritura, taksat e pronës, atë të Rrugës së Kombit, të ujit e të dritave. Sipas Bashës kur vendi qeveriset nga një bandë plaçkitësish mbetet vetëm mosbindja civile.
Por nëse për Frontin Opozitar, mosbindja civile nënkupton mospagimin e taksave të rritura në këto vite nga qeveria “Rama” si edhe rreshtimi kundër regjimit privat, të cilësuar nga Basha si “kriminal”, ç’do të thotë mosbindje civile për filozofin dhe eseistin amerikan të shekullit të ’19, Henry David Thereau, i cili ka shkruar edhe një libër mbi “Resistance to Civil Government”, të përkthyer në shqip si “Mosbindja Civile” nga Sonila Danaj (një nga botimet më të reja për 2018 –ën nga shtëpia botuese “Zenit Editions”.)
Titulli: Mosbindja civile
- Origjinali: Resistance to civil government
- Gjinia: Filozofi
- Autori: Henry D. Thoreau
- Shqipëroi: Sonila Danaj
- Shtëpia botuese: Zenit Editions
- Viti: 2018
Një libërth prej 56 faqesh, i botuar për herë të parë më 1849 –ën, ku autori transcendental Thoreau argumenton se individët nuk duhet t’u lejojnë qeverive të sundojnë apo atrofizojnë ndërgjegjen e tyre dhe se ata kanë detyrë të mos lejojnë një pranimi të tillë në heshtje për t’i mundësuar qeverisë shndërrimin në agjentë të padrejtësisë. Thoreau u motivua pjesërisht prej neverisë që ndjente për skllavërinë dhe luftën Meksikano-Amerikane.
Me gjithë zemër e pranoj moton, shkruan Thoreau, “Qeveria më e mirë është ajo që qeveris më pak” dhe do të më pëlqente ta shihja në veprim sa më shpejt e më sistematikisht. Zbatimi i saj përfundimisht çon në thënien të cilën unë po ashtu e besoj: “Qeveria më e mirë është ajo që nuk qeveris fare”; dhe kur njerëzit të jenë të përgatitur për të, ajo do të jetë lloji i qeverisë që do të kenë.
Qeveria në rastin më të mirë nuk është më shumë se një instrument praktik; por shumica e qeverive janë zakonisht dhe të gjithë qeveritë janë ngandonjëherë instrumente jopraktikë.”
Duket se libri ka gjetur kohën më të mirë për t’i ardhur lexuesit, ku togfjalëshi “mosbindje civile” tundet si flamuri që do sjellë zgjidhje për padrejtësitë, ose të paktën do të mundet ta frenojë dorën e shtetit, por a bazohet mosbindja e Opozitës së Bashkuar kryesuar nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi a është bazuar në literaturën e një filozofi poliedrik si Thoreau ?!
Qytetarët edhe nëse nuk dëgjojnë opozitën, librin mund ta lexojnë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.