Gazeta Si – Në seancën gjyqësore në Gjykatën Administrative të Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj, zgjodhi të ishte vetë, ku kërkoi shpalljen e pavlefshmërisë së emërimit të Ols Dados si prokuror në 2008-ën me dekret nga ish-presidenti Bamir Topi.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, i cili pretendon se Dado është emëruar prokuror në shkelje të ligjit, u fut në gjykatë me pranga dhe një libër që mbante në duar.
Ndryshe nga gjyqi që u zhvillua sot në GJKKO, te kjo seancë, Veliaj kishte në krah edhe avokatin e tij, Plarent Ndreca. Por në sallë nuk është i pranishëm Dado, i cili u përfaqësua nga avokati i tij, Erarbër Madhi.

Presidenca përfaqësohej nga Sara Bërdullima, ndërsa përfaqësuese e KLP-së ishte Danja Hobdari. Ndërkohë, mungoi avokatura e shtetit.
Pati një sërë diskutimesh në këtë seancë përgatitore për palët, megjithatë ajo e radhës është caktua më 8 maj, ora 14:00. Gjykata i kërkoi Veliajt dhe avokatit të tij që padia të rregullohet, duke dhënë afat 20 ditë. Në të kundërt, çështja do të pushohet!
Në një prononcim për gazetarët, avokati Ndreca tha se “padia nuk ka mangësi”, duke theksuar se janë shkelur rëndë të drejtat e kryebashkiakut. “Nuk janë plotësuar kriteret për arrestimin e tij”, tha ai. Ai argumentoi se pyetja kryesore drejtuar gjykatës është: A është prokuror Ols Dado apo jo?
Ndërsa Veliaj, ka argumentuar në fjalën e tij se është arrestuar nga një njeri që nuk është prokuror dhe që nuk ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës.
“Unë nuk jam këtu për hakmarrje, as për dramën e familjes time dhe për atë që i ka shkaktuar ai familjes sime. Jam këtu për të treguar çfarë i ka shkaktuar kjo Bashkisë së Tiranës. Kur shoh njerëz që nuk kanë mbaruar magjistraturën dhe arrestojnë qytetarë. Jam i vetmi njeri që jam arrestuar nga dikush që nuk ekziston. Nesti Angoni nuk ekziston“, mësohet se ka deklaruar kryebashkiaku Veliaj.
“Unë jam kallëzuar për inceneratorët, dje fitova gjyqin për shpifje, me italianin. Kam frikë se e gjitha kjo është një intrigë. Kë ka dëmtuar Erion Veliaj në punën e vet? Ajo që më ngacmoi të bëja këtë padi, është i vetmi rast që afati 2 javor për të regjistruar një procedim nuk ështe regjistruar pas 7 muajsh, kur afati është 15 ditor. Kërcitën shumë gjëra në këtë proces. Kjo s’ka lidhje me SPAK apo me reformën në drejtësi. 7 muaj regjistrim procedimi dhe me pas 1 vit tjetër regjistimi i emrit tim. Më është bërë një vetting i jetes sime. Më është hetuar jeta…“, ka shtuar ai.

Avokati i Veliajt, Ndreca, kërkoi që gjykata të konstatojë pavlefshmërinë e dekretit të presidentit të vitit 2008 për mandatin e prokurorit Olsi Dado, duke theksuar se nuk ka probleme kompetence ose juridiksionale, por që akti ka pasoja direkte mbi kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Ai argumentoi se Dado nuk plotësonte kriteret ligjore për të qenë prokuror, pasi nuk kishte përvojën e kërkuar si magjistrat, pedagog ose këshilltar ligjor, dhe për këtë arsye gjykata është kompetente për të zgjidhur këtë mosmarrëveshje.
Ndreca theksoi se pavlefshmëria absolute e aktit mund të kërkohet nga çdo institucion, duke shtuar se nëse Dado nuk do të kishte qenë prokuror i Republikës, arrestimi i kryetarit të bashkisë nuk do të kishte ndodhur.
Sipas kërkesëpadisë të bërë nga mbrojtja e Veliajt, emërimi i prokurorit është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi në momentin e dekretimit ai nuk plotësonte kriteret ligjore të detyrueshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit sepse nuk kishte kryer shkollën e Magjistraturës.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në “arrest me burg” që prej 10 shkurtit 2025. Ndaj tij SPAK ka renditur 13 akuza, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje