Gazeta Si – Me kërkesë të SPAK, ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, është rikthyer në qeli pas një vendimi të formës së prerë nga Apeli i Posaçëm i GJKKO-së.
Ai është paraqitur pasditen e të martës në Komisariatin e Vlorës, ku është bërë edhe ekzekutimi i masës “arrest me burg”.
Vendimi i Apelit konfirmoi dënimin me 2 vite burg, i cili, për shkak të gjykimit të shkurtuar, është reduktuar në 1 vit e 4 muaj heqje lirie.
SPAK kërkoi ditën e djeshme rikthimin e kryebashkiakut të Himarës në burg, pasi sipas përllogaritjeve të bëra, duke marrë në konsideratë kohën e kaluar në paraburgim, Goros i mbeten për të vuajtur edhe 6 muaj e 10 ditë.
Ai u arrestua më 23 mars 2024, teksa gjatë hetimit dhe gjykimit në Gjykatën e Posaçme kërkoi vazhdimisht pafajësinë.
Çështja për të cilën ai është dënuar lidhet me tjetërsimin e një prone në zonën e Livadhës. Për këtë rast, ai ishte shpallur fajtor edhe në shkallë të parë nga Gjykata e Posaçme më 30 korrik 2025.
Ndërkohë, më herët, Goro kishte vuajtur 17 muaj burg nga një tjetër dënim prej 2 vite e 20 ditësh, që lidhej me tjetërsimin e një sipërfaqeje prej 10 mijë metrash katrorë tokë në zonën e Gjilekës, në Himarë. Edhe në atë rast ai përfitoi ulje dënimi për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar, duke u liruar më herët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje