Drejtësia

Prokuroria e Përgjithshme dhe Gjykata e Lartë mohojnë sulmet nga hakerat iranianë

Gazeta Si – Prokuroria e Përgjithshme dhe Gjykata e Lartë, kanë mohuar pretendimet e grupit iranian të hakerëve, “Homeland Justice” për një sulm kibernetik ndaj institucioneve të tyre. Sipas “Homeland Justice”, ata kishin arritur të siguronin të dhëna dhe dokumente gjyqësore sensitive.

Për këto pretendime, janë rrëzuar nga të dyja institucionet e rëndësishme në vend, të cilat, përmes njoftimeve, thonë se nuk kanë konstatuar gjurmë hakerimi.

“Për shkak të interesit në lidhje me hakerimin e mundshëm të faqes zyrtare së Prokurorisë së Përgjithshme, ju bëj me dije se nga verifikimet e kryera nga ekspertët e sigurisë së IT-së nuk janë konstatuar gjurmë komprometuese deri në momentin që flasim në formën e hakerimit. Stafet tona të IT-së janë duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën”, shprehet prokuroria në njoftimin e saj zyrtar.

Pas Prokurorisë së Përgjithshme, ka ardhur reagimi edhe nga Gjykata e Lartë në lidhje me pretendimin e grupit “Homeland Justice” për sulm kibernetik.

Sipas njoftimit, Gjykata e Lartë nuk ka rënë pre e sulmit kibernetik, por është faqja “gjykata.gov.al” ajo që është sulmuar, e cila është në menaxhim nga KLGJ.

Gjykata e Lartë ndërsa sqaron se sulmi nuk ka lidhje me sistemin e brendshëm apo faqen e institucionit.

“Në lidhje me interesimin tuaj, ju bëjmë me dije se Gjykata e Lartë nuk ka pësuar sulm kibernetik, por sipas pretendimeve të Homeland Justice, grupit në Telegram, ka pësuar sulm kibernetik faqja gjykata.gov.al, e cila është në menaxhimin e plotë të KLGJ dhe nuk ka asnjë lidhje me sistemin e brendshëm apo faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë”., thuhet në reagim.

Javët e fundit, grupi “Homeland Justice” ka pretenduar se ka sulmuar Postën Shqiptare dhe faqen e Kuvendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë