Drejtësia

Babai i Ervis Martinajt akuzon SPAK: Djalin ma vranë në Durrës, por nuk duan ta hetojnë

Gazeta Si – Mustafa Martinaj, babai i Ervis Martinajt, ka akuzuar Prokurorinë e Posaçme që nuk do të hetojë çështjen e djalit të tij, i zhdukur prej gushtit të vitit 2022 pa asnjë gjurmë.

Ai u paraqit këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme për të dëshmuar në procesin për sekuestrimin e pasurive të familjes, por seanca dështoi për shkak të mungesës së dy prokurorëve të çështjes.

Pasi doli nga GJKKO, Mustafa Martinaj i pyetur se çfarë ka ndodhur me djalin e tij, tha se “fatin e djalit tim e dinë të gjithë, përveç medias dhe SPAK”.

“Djali më është ekzekutuar në Durrës. Kam ardhur vetë në SPAK me iniciativën time, por këta nuk duan ta hetojnë dhe ia kanë kaluar Prokurorisë së Kurbinit”.

I pyetur nëse është i interesuar tek Prokuroria e këtij qyteti se çfarë po bën me hetimet, ai tha “nuk kam për çfarë të interesohem. Nuk kam fuqi as për hakmarrje. Kam ardhur se më ka thirrur gjykata, jam invalid, kam bërë disa ndërhyrje shëndetësore. Këta merren me vogëlsira dhe nuk merren me gjëra madhore”.

Seanca e radhës u shty pas dy javësh, teksa po vijon gjykimin mbi kërkesën e SPAK për konfiskimin e disa pasurive. Të pranishëm ishin edhe dy shtetas të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve të kërkuar nga SPAK.

Martinaj u shpall në kërkim nga policia në maj 2022, pasi u përmend nga i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, si organizator dhe porositës i vrasjes së Indrit Dokles me një vlerë prej 500 mijë euro, por edhe si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal.

I konsideruar si një ndër njerëzit më të shumëkërkuar në vend, Ervis Martinaj u denoncua i zhdukur nga familjarët e tij në gusht të vitit 2022, ndërsa fati i tij mbetet ende i panjohur.

Deri tani, për Martinajn ende nuk ka asnjë rezultat zyrtar nga hetimet. Në tetor 2025, Mustafa Martinaj ka kërkuar shpalljen e djalit të tij si të zhdukur.

Ndaj tij ka dy urdhërarreste nga SPAK, ndërsa përgjatë viteve, ka pasur kontrolle të shumta nga policia në disa banesa në zonën e Shijakut, Durrësit e Vlorës.

Po ashtu, SPAK ka sekuestruar pasuritë dhe llogaritë bankare të Martinajt dhe të afërmve të tij që prej vitit 2000.

Në sitë gjithashtu kaluan edhe pronat e luajtshme dhe të paluajtshme të tyre, ku SPAK arriti të identifikojë një banesë në Surrel e blerë në letra nga një person tjetër, por që pas dëshmisë së tij, rezultoi se ishte blerë realisht nga Ervis Martinaj.

Një nga njerëzit që ka shoqëruar për herë të fundit Martinajn në gusht 2022, rezulton të jetë ish-polici Jeton Lami.

Pavarësisht marrjes në pyetje, Lami nuk zbuloi detaje rreth zhdukjes së “Mbretit” të lojërave të fatit, duke thënë se nuk kishte dijeni për fatin e tij.

Lam u arrestua dhe lirua më pas nga Gjykata e Tiranës, i dyshuar për tritolin që shpërtheu në një restorant në Kamëz për një gjobëvënie 500 mijë euroshe ndaj pronarit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë