Gazeta Si – SPAK ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për pushimin e procedimit penal ndaj gjyqtares së posaçme Irena Gjoka pas denoncimit të PD-së mbi dyshimet se nuk ka deklaruar një dënim në Greqi në formularin e vetëdeklarimit në vitin 2016.
Sipas SPAK, konstatohet se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për vijimin e mëtejshëm të ndjekjes penale për këtë çështje dhe se nuk provohet që magjistratja Irena Gjoka të ketë kryer veprën penale.
Hetimi ishte regjistruar më 5 qershor të vitit 2025 pas kallëzimit të bërë nga Adriana Kalaja, ish-kryetarja e Komisionit të Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit në PD, e cila pretendonte se Gjoka kishte kryer falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe ushtrim ndikimi i paligjshëm.
Përgjatë hetimeve të kryera, SPAK analizoi kallëzime shtesë dhe dokumentacion nga institucionet e ndryshme dhe në përfundim rezultoi se ndaj Gjokës ekziston një vendim i vitit 2005 në Greqi për përdorim dokumentesh të parregullta dhe hyrje të paligjshme në territorin grek.
Por pavarësisht këtij vendimi, SPAK thotë se nuk ka bazë ligjore për ndjekje penale ndaj Gjokës në Shqipëri pasi në vendin tonë nuk është njoftuar në mënyrë efektive për vendimin e dënimit.
“Nuk rezulton të jetë administruar dokumentacion që provon njoftimin e vendimit gjyqësor ndaj saj, si dhe nuk evidentohet marrja dijeni në mënyrë efektive për ekzistencën e këtij vendimi në kohën e dhënies së tij”, – thuhet në argumentimin e SPAK-ut.
Gjithashtu, autoritetet greke kanë vendosur të mos e ekzekutojnë vendimin për shkak të parashkrimit dhe mungesës së formës së prerë, ndërsa në dëshmitë e penalitetit të Gjokës, nuk figurojnë të dhëna për dënim penal.
“Duke marrë në konsideratë mungesën e njoftimit të rregullt, zhvillimin e gjykimit në mungesë, si dhe kalimin e afateve ligjore të ndjekjes penale, konstatohet se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për vijimin e mëtejshëm të ndjekjes penale për këtë çështje dhe se nuk provohet që magjistratja Irena Gjoka të ketë kryer veprën penale”, – argumenton më tej Prokuroria e Posaçme.
Hetimet ndaj gjyqtares së posaçme nisën pas denoncimit të bërë nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili në maj të vitit 2025 publikoi një vendim të gjykatës së Janinës që e kishte dënuar atë për falsifikim dokumentesh në fillim të viteve 2000.
Gjoka ishte gjyqtarja e hetimit paraprak dhe ajo që lëshoi masat e sigurisë për dosjen “Partizani”, mes të cilave “Detyrim për t’u paraqitur” dhe më pas “Arrest shtëpie” për ish-kryeministrin Sali Berisha. Pas kësaj, Inspektori i Lartë i Drejtësisë regjistroi një hetim disiplinor ndaj gjyqtares.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje