Drejtësia

Vrasja për gjakmarrje e Ardian Nikulajt, dënohet me burg përjetë Ruben Saraiva

Gazeta Si – Gjykata e Lezhës ka dënuar me burgim të përjetshëm portugezin Ruben Saraiva, i cili u shpall fajtor për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj më 19 prill të vitit 2023 në Shëngjin të Lezhës.

Ngjarja ndodhi brenda lokalit të viktimës. teksa ai ishte ulur në tavolinë i vetëm. Vrasësi hyri brenda me një kaskë motori dhe qëlloi disa herë Nikulajn duke e lënë të vdekur.

I dënuari ka mohuar vazhdimisht akuzat për vrasje duke thënë se në Shqipëri ka qenë vetëm si turist. Mirëpo hetimet kanë çuar në pistën që Saraiva të jetë paguar nga Edmond Haxhia për të kryer krimin për gjakmarrje ndaj fisit fisi Nikulaj.

Për ngjarjen, të akuzuar janë edhe 4 shtetas britanikë dhe një shqiptar, të cilët ndihmuan Saraivën që të kryente planin.

Sipas dosjes hetimore, Saraiva akuzohet për veprën penale “Vrasje e kryer për interes ose hakmarrje”, si dhe për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Sipas akuzës, krimi ishte i organizuar dhe i planifikuar, ndërsa roli i Saraivës konsiderohet kyç në ekzekutimin e tij.

Në seancat e mëparshme janë paraqitur prova, dëshmi dhe ekspertiza që, sipas Prokurorisë, faktojnë përfshirjen e të pandehurit në këtë ngjarje të rëndë.

Në pamjet e kamerave shihej një person  me skafandër në kokë, maskë në fytyrë e jelek fosforeshent që e qëlloi me armë zjarri të paktën 6 herë Nikulajn.

Prokuroria e Lezhës, thotë se Saraiva erdhi në Shqipëri më 14 shkurt 2023 për të finalizuar planin e thurur dhe financuar nga shqiptaro-britaniku, Edmond Haxhia, tashmë i arrestuar në Britani, të vrasjes së biznesmenit Nikulaj.

Përveç pamjeve filmike të siguruara nga policia, vrasja e Ardian Nikulajt nuk do të ishte zbuluar pa ndihmën e një dëshmitareje kyç.

Mes personave që kishte si provë, Prokuroria e Lezhës, ishte dhe një femër, e cila dyshohet të jetë e afërme e Edmond Haxhisë.

Të dhënat e mbledhura nga grupi i hetimit, treguan se gjatë përgatitjes për të kryer ngjarjen, portugezi u bë pjesë e komunitetit në Shkodër dhe Lezhë, duke mësuar shqip dhe bërë humor me qytetarët e zonës.

Ruben Saraiva u ekstradua nga Maroku në fund të vitit 2023, ndërsa kësaj procedure nuk i janë nënshtruar ende 4 shtetasit britanikë të arrestuar për këtë ngjarje, si dhe Edmond Haxhia, i cili akuzohet si porositësi i atentatit.

Vrasja e biznesmenit Nikulaj, ishte në vazhdën e sagës së gjakmarrjes, që familja e viktimës ka pasur me fisin Lekstakaj prej dekadash, konflikt ky që ndër vite ka prodhuar shumë viktima.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë