Gazeta Si – Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta për të zëvendësuar masën e sigurisë “arrest në burg” me një masë më të lehtë kundrejt garancisë financiare prej 50 mijë eurosh.
Kërkesa e Metës u dorëzua një ditë pas vendimit të gjykatës për të kaluar dosjen e tij penale dhe të disa të tjerëve, përfshirë Monika Kryemadhin, Fatime Kryemadhin, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku, në gjykim në themel.
Procesi gjyqësor ndaj Metës lidhet me akuza për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, ndërsa çështja tashmë ndodhet në fazën e gjykimit në themel. Vendimi i GJKKO-së tregon se deri në përfundim të procesit, Meta do të qëndrojë në “arrest në burg”.
Avokati i Metës, Kujtim Cakrani u shpreh i bindur se ish-presidenti do lirohet nga burgu. “Unë kam thënë një fjalë dhe i qëndroj asaj. Ilir Meta do të lirohet nga burgu. Mos kini merak. Ne bejlerët e mbajmë fjalën, kështu që mos kini asnjë lloj problemi”, deklaroi avokati.
Ish-presidenti Meta akuzohet për tre vepra penale, të cilat iu komunikuan më 4 gusht 2025, sa i përket dosjes CEZ/DIA dhe lobimit në SHBA. Ai akuzohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion.
Ai ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje. Dosja “Meta” përfshin gjithashtu hetime ndaj nënës së Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut.
Të pandehurit akuzohen për disa vepra penale, përfshirë korrupsionin pasiv, pastrimin e parave dhe mosdeklarimin e pasurive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje