Gazeta Si – Ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca ka dhënë dëshmi për disa orë të martën e 18 marsit në Prokurorinë e Posaçme për dosjen që po hetohet nga prokurori Klodian Braho mbi abuzimet me fondet e programit të IPARD.
Sipas raportimeve në media, Krifca është pyetur si person në dijeni, teksa SPAK, ka shtuar ritmet e hetimit për këtë dosje.
Më herët, Reni Ashiku, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-ministres Krifca, u paraqit në Prokurorinë e Posaçme për t’u marrë në pyetje.
Gjithnjë sipas burimeve, kjo është një dosje që po hetohet me prioritet dhe paralelisht me marrjen e dëshmive po mblidhen edhe prova të tjera rreth skemës së dyshuar abuzive të zyrtarëve.
Në tetor 2025, ish-kreu i SPAK, Altin Dumani tha në Kuvend se SPAK po heton abuzimet me fondet e IPARD.
Ai theksoi se gjatë këtyre hetimeve po punohet ngushtë me OLAF. “Kemi regjistruar një procedim të tillë për fondet IPARD. Çështja është në hetim dhe po bashkëpunohet ngushtë me OLAF”,- tha Dumani.
Pytjes se a po hetohet ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, për fondet IPARD, Dumani theksoi se “në atë procedim penal hetohet çdo person që dyshohet se ka kryer veprime të paligjshme”.
Procedimi nisi pas kallëzimit të Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), e cila evidentoi shkelje në administrimin e fondeve të destinuara për sektorin bujqësor në Shqipëri.
Si pasojë e rekomandimeve të OLAF, Bashkimi Evropian vendosi të ndërpresë financimin përmes programit IPARD 3, duke bllokuar qindra miliona euro që ishin planifikuar si mbështetje për fermerët shqiptarë.
Në tetor 2025, Partia Demokratike iu drejtua Kuvendit me një shkresë, ku kërkoi ngriten e një komisioni hetimor për Kontrollin e Ligjshmërisë në Administrimin e Fondeve të Programit IPARD II.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje