Gazeta Si – GJKKO ka vendosur që të kalojë për gjykim dosjen në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi dhe të pandehurve të tjerë.
Si Meta, ashtu edhe Kryemadhi, akuzohen për të njëjtat vepra penale: “pastrim parash, fshehje pasurie dhe korrupsion pasiv”. Dosja përfshin çështjen CEZ-DIA, lobimin e LSI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe hetimin pasuror.
Gjyqtarja e seancës paraprake, Irena Gjoka, mbylli javën e kaluar shqyrtimin e dosjes, pas një procesi 8-mujor, që kur SPAK dorëzoi kërkesën për gjykim ndaj Metës e Kryemadhit, të dy të akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Ajo ka rrëzuar të gjitha kërkesat e të pandehurve për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të provave, ndërsa tani është tërhequr për vendim nëse do kalojë apo jo për gjykim dosjen në ngarkim të Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe tre të pandehurve të tjerë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, pas vendimit të GJKKO-së, Ilir Meta e ka konsideruar këtë vendim si “drejtësi me regji”.
Ai shprehet me ironi, se gjykimi i gjyqtares Irena Gjoka, kishte një “risi”, pasi vendosi kalimin e çështjes për gjykim, pavarësisht se kishte konsideruar mungesë provash dhe hetim jo të plotë nga ana e prokurorëve të SPAK-ut.
Pas daljes nga GJKKO që kaloi për gjykim dosjen, ish-bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi, u shpreh se gjyqtarja Irena Gjoka pranoi sot se në dosje nuk ka prova dhe se sipas saj, “gjyqi është politik”.
Mes të tjerash, ish-deputetja nënvizoi se pavarësisht se akuzohet për korrupsion pasiv të kryer me biznesmenin Ardian Shatku, ky i fundit nuk është marrë asnjëherë në pyetje.
Ndërsa la të kuptohej se dosja do të shkonte deri në Gjykatën e Strasburgut, teksa ngriti akuza për institucionet e reja të drejtësisë duke nënvizuar faktin se ndërkombëtarët kishin paguar miliona euro për funksionimin e tyre.
“Ky vendim i jep shans shumë të madh Metës në Strasburg për të treguar gjithë ato miliona dollarë që taksapaguesit amerikanë e evropianë kanë paguar për një sistem drejtësie, në të cilin kryepolicët e prokurorisë që thonë afërmendsh… gjykata merr vendimin që thotë prokuroria”, – tha më tej Kryemadhi.

Ndërsa avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani tha se kalimi për gjykim i dosjes, ka çuar në përfundimin e procesit ligjor për Metën dhe nisjen e çështjes politike.
Cakrani tha se pavarësisht se vetë gjykata kontaoi e ka mungesë të provave, i injoroi kërkesat e të pandehurve për t’i plotësuar duke thënë se çështja do të shqyrtohet në themel.
Nga të gjithë të pandehurit, i vetmi nën masën “arrest me burg” është Ilir Meta i cili u arrestua në hyrje të Tiranës më 21 tetor të vitit 2024. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv, ndërsa Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku për pastrim parash.
SPAK thotë se hetimet për Metën dhe Kryemadhin kanë zbuluar disa skema korrupsioni dhe përdorimi të pushtetit politik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje