Drejtësia

Shkelje në tenderin 22 mln €, GJKKO pushon akuzat ndaj 6 ish-zyrtarëve të ARRSH

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka vendosur të shpallë të pafajshëm 6 ish-zyrtarë të ARRSH-së të akuzuar për shkelje të barazisë me tenderin 22 mln euro të Lotit I të Unazës së Re.

Vendimi u mor pasi afati për ndjekjen penale për këto vepra kishte kaluar, duke bërë që ndjekja të mos vazhdohet më.

Mes të shpallurve të pafajshëm janë Arbër Troka, Miranda Shkurti, Nikollaq Mihali, Almir Hoxhaj, Erjon Zemanaj dhe Admir Pahumi.

Ata ishin akuzuar për shkelje të barazisë në tendera, por procesi përfundoi me pushimin e akuzave për shkak të parashkrimit.

Nga hetimet e SPAK u konstatua se të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ndërmarrë veprime që kanë cenuar rregullsinë e procedurës së tenderimit dhe kanë dëmtuar interesat ligjore të shtetit shqiptar.

Emrat e mësipërm u akuzuan në kuadër të procedimit që nisi për tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë, ku e pandehur ka qenë edhe ish-drejtoresha e ARRSH-së, Sonila Qato. Në korrik të 2025 Gjykata e Posaçme dënoi me 6 muaj burg Qato për shkelje të barazisë në tendera.

Dënimi i caktuar iu konvertua në punë në komunitet, ku Qato do të duhet të kryejë 60 orë shërbim në lomunitet, si dhe nuk do të mbajë poste drejtuese.

Fillimisht ishte Kontrolli i Lartë i Shtetit që zbuloi shkeljet e referoi materialet. SPAK pretendoi se nga analizat e provave dhe të dhënave të grumbulluara, rezulton e provuar se gjatë kryerjes së procedurës së prokurimit, e zhvilluar nga ARRSH, të pandehurit në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer një sërë veprimesh në shkelje të procedurës, duke dëmtuar interesat ligjore të shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë