Gazeta Si – Ish-presidenti i vendit, Ilir Meta, ka mohuar në Gjykatën e Posaçme një nga akuzat e SPAK-ut ndaj tij, atë të fshehjes së pasurisë.
Në seancën paraprake që po mbahet këtë të mërkurë ndaj tij dhe katër të tjerëve, Meta ka folur për shpenzimet e tij.
Sipas burimeve në GJKKO, ai është mbrojtur, duke theksuar se “kam bërë jetë thjeshtë dhe jo jetë luksi, nuk kam pirë verën as 33 mijë euro dhe as kam lëvizur me Çarter”.
Po ashtu, ish-presidenti ka hequr dorë nga kërkesa për zëvendësim të masës së sigurisë, e cila ishte depozituar prej avokatit të tij dhe që do të shqyrtohej sot në Gjykatën e Posaçme.
Shkak për këtë u bë pritja e vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila e rrëzoi sot kërkesën Metës për t’u gjykuar në liri.
Pas përfundimit të seancës, ish-deputetja dhe ish-bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi, deklaroi se mbrojtja dhe prokuroria paraqitën qëndrimet e tyre për çështjen, ndërsa sipas saj një pjesë e madhe e akuzave mbështetet vetëm në perceptime.
Ajo theksoi se mbrojtja ka kërkuar që të verifikohen përmes letër-porosisë disa dokumente që lidhen me pretendimet për pagesa lobimi, për të cilat prokuroria pretendon se janë bërë nga kompania UNIFA për LSI-në.
Kryemadhi tha se pala e saj disponon kontratën mes kompanive përkatëse dhe kërkon që dokumentet origjinale të verifikohen drejtpërdrejt nga kompanitë dhe autoritetet përkatëse.
Duke folur edhe për qëndrimin e bashkëshortit të saj, Ilir Meta, Kryemadhi u shpreh se ai ka paraqitur kërkesa racionale dhe se, sipas saj, ndaj tij nuk ka as firma, as komunikime apo vendime që ta lidhin me akuzat për korrupsion.
SPAK mbylli hetimet për dosjen “Meta-Kryemadhi” më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit të vitit të kaluar, e cila përfshiu tre hetime: afera CEZ-DIA, lobimi i LSI në SHBA dhe hetimi pasuror.
Meta dhe Kryemadhi akuzohen për “korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie”. Pirro Xhixho akuzohet për “korrupsion”, ndërsa Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku për “pastrim parash”. I vetmi që ndodhet në burg nga të 5 të pandehurit është Ilir Meta, i arrestuar tetorin e vitit 2024.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje