Menaxhim

Qeveria takim me grosistët e naftës: Do të monitorohen çdo ditë çmimet!

Nga Gazeta ‘SI’ – Përfaqësues të qeverisë zhvilluan sot një takim me kompanitë e tregut të karburanteve në vend, për të diskutuar monitorimin e çmimeve të naftës, benzinës dhe gazit.

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, njoftoi gjatë takimit se do të ngrihet një mekanizëm i përditshëm monitorimi të çmimeve të hidrokarbureve në tregun vendas, do të ketë analiza periodike për çmimet e bursës dhe tregut vendas, si dhe do të ketë komunikim me kompanitë dhe shoqatën për të siguruar stabilitet në treg.

Nga ana tjetër, ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se do të ngrihet një task-forcë e përbashkët mes administratës tatimore dhe doganore, e cila do të ketë për detyrë rritjen e kontrollit dhe efikasitetit tatimor dhe doganor në sektorin e hidrokarbureve, në tregtimin me shumicë dhe me pakicë, monitorimin e marzheve të fitimit në gjithë zinxhirin e tregtimit të hidrokarbureve, nga momenti i importit deri te shitja me pakicë, për të garantuar që çdo ndryshim çmimi të reflektojë zhvillimet reale të tregut.

Gjatë takimit u theksua se situata aktuale në tregjet ndërkombëtare kërkon vëmendje dhe reagim të shpejtë institucional, në mënyrë që të ruhet stabiliteti i tregut dhe të mbrohen interesat e konsumatorëve shqiptarë.

Autoritetet shtetërore do të vijojnë monitorimin e përditshëm të bursave ndërkombëtare dhe të tregut vendas, duke marrë masat e nevojshme në rast të devijimeve të pajustifikuara të çmimeve.

Institucionet mbeten të angazhuara për garantimin e transparencës, konkurrencës së ndershme dhe mbrojtjen e interesit të konsumatorëve në tregun e hidrokarbureve në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë