Drejtësia

Numri i lartë i të paraburgosurve, Gjykata e Lartë nis ndryshimin e praktikës gjyqësore

Gazeta Si – Gjykata e Lartë ka vendosur të rishikojë rregullat për heqjen e masës së sigurisë “arrest në burg” për persona të dyshuar për vepra penale.

Nisur nga numri i lartë i të paraburgosurve, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi ka vendosur t’i propozojë Kolegjeve të Bashkuara nisjen e procedurës për ndryshimin e pjesshëm të një praktike gjyqësore të vitit 2011 mbi masat e sigurimit personal.

Kjo vjen nga një rast konkret, ku policia gjeti 7.35 kg drogë kanabis në shtëpinë e Begtash Zenelit në Lezhë, i dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjykata e Shkallë së Parë, vendosi burg, por ajo e apelit e ndryshoi në “arrest shtëpiak”.

Gjykata e Lartë vlerëson se zhvillimet ligjore pas vitit 2011, ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale dhe standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut kërkojnë rishqyrtim të disa prej formulimeve të këtij vendimi.

Në veçanti, do të shqyrtohet nëse gjykatat duhet të analizojnë në mënyrë reale masat alternative ndaj “arrestit në burg”, nëse rrezikshmëria mund të bazohet vetëm në natyrën e veprës penale dhe kujt i takon barra e provës për të justifikuar nevojën e kësaj mase.

Ky vendim shënon gjithashtu ushtrimin për herë të parë, të kompetencës së Kryetarit të Gjykatës së Lartë, sipas nenit 438 të Kodit të Procedurës Penale për ndryshimin e pjesshëm të një praktike të njësuar.

Por tani ligji ka ndryshuar dhe Gjykata e të Drejtave të Njeriut (Strasburgu), ka kritikuar Shqipërinë disa herë.

Duhet shpjeguar me fakte konkrete pse dikush rrezikon të ikë ose të prishë prova, pse masat më të buta nuk mjaftojnë dhe pse burgu është e vetmja zgjidhje.

Ligji i ri (2017-2021) kërkon arsye të qarta dhe personale për çdo vendim, jo thjesht pse “krimi është i rëndë”.

Çështja do të shqyrtohet nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë në seancën e caktuar më 9 prill 2026.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë