Analize

Deja Vu e një krize energjetike!

Europa po përjeton një Deja Vu.

Katër vite më parë, pushtimi i Ukrainës nga Rusia shkaktoi një rritje të jashtëzakonshme të çmimeve globale të naftës dhe gazit. Kjo detyroi liderët në Britani dhe në Bashkimin Europian të ndërmarrin paketa të kushtueshme mbështetjeje për të zbutur goditjen që ekonomitë e tyre pësuan për shkak të varësisë nga importet e energjisë. Tani, ndërsa lufta në Lindjen e Mesme ka hyrë në javën e dytë, të njëjtat presione po rikthehen sërish. Çmimet globale të naftës janë rritur me më shumë se 30%, ndërsa çmimet referencë rajonale të gazit natyror pothuajse janë dyfishuar që nga fillimi i konfliktit.

Ekonomitë europiane nuk mund ta përballojnë vazhdimisht përsëritjen e këtij cikli.

Deri tani, çmimet e gazit nuk janë rritur aq dramatikisht sa në vitin 2022, ndërsa çmimi i naftës të hënën ra sërish nën 100 dollarë për fuçi. Europa gjithashtu ka bërë përparime në diversifikimin e burimeve të energjisë dhe furnizimit, duke u larguar nga varësia ndaj Rusisë. Megjithatë, sa më gjatë të vazhdojnë ndërprerjet e dërgesave të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, aq më të mëdha do të jenë pasojat ekonomike.

Edhe në një skenar ku goditja e çmimeve është relativisht afatshkurtër, Oxford Economics vlerëson se inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar dhe në eurozonë do të jetë rreth 0.5 pikë përqindjeje më i lartë deri në fund të vitit, pjesërisht për shkak të varësisë së vazhdueshme nga importet e gazit dhe kapaciteteve të kufizuara të magazinimit. Investitorët kanë rritur gjithashtu pritshmëritë për rritje të normave të interesit nga Banka Qendrore Europiane dhe Banka e Anglisë.

Presioni politik për të ofruar mbështetje ekonomike ka gjasa të rritet. Qeveria laburiste në Britani e ka përmendur vazhdimisht koston e jetesës si shqetësimin e saj “numër një”. Kryeministri Keir Starmer deklaroi të hënën se qeveria po shqyrton çfarë mund të bëjë për të kufizuar ndikimin. Nëse çmimet e naftës vazhdojnë të rriten, politikëbërësit duhet të mbajnë parasysh mësimet e krizës energjetike të vitit 2022 dhe të sigurojnë që çdo mbështetje të jetë e mirëbalancuar. Kjo nënkupton masa të përkohshme dhe të targetuara, të drejtuara kryesisht ndaj individëve dhe bizneseve më të prekura.

Megjithatë, problemi më i madh për Europën është se paqëndrueshmëria e vazhdueshme gjeopolitike rrit rrezikun e goditjeve të shpeshta të çmimeve të energjisë. Qeveritë nuk mund të pritet të ofrojnë masa emergjente çdo herë që shpërthen një krizë, dhe në shumë raste nuk kanë as kapacitetin për ta bërë këtë. Shumë vende ende po përpiqen të reduktojnë borxhet e krijuara nga paketat e mëparshme për përballimin e kostos së jetesës.

Në të njëjtën kohë, financat publike janë nën presion nga kërkesat në rritje për shkak të plakjes së popullsisë dhe shpenzimeve për mbrojtjen. Për më tepër, sapo të vendosen subvencione apo grante, ato shpesh janë shumë të vështira për t’u tërhequr.

Goditjet energjetike kanë gjithashtu një kosto të drejtpërdrejtë financiare. Çdo ndërprerje e furnizimit rrit normat e huamarrjes sovrane, pasi investitorët parashikojnë inflacion më të lartë dhe mundësinë e masave të reja mbështetëse. Për shembull, yield-et e obligacioneve 10-vjeçare britanike janë rritur me rreth 30 pikë bazë që nga sulmet e SHBA dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt. Ky zhvillim është një tjetër kujtesë për nevojën e krijimit të rezervave fiskale të mjaftueshme.

Megjithatë, mësimi kryesor është se liderët europianë duhet të forcojnë përpjekjet për të rritur sigurinë energjetike të rajonit. Kjo do të thotë të dyfishohen përpjekjet për rritjen e prodhimit të energjisë nga dielli, era dhe energjia bërthamore, duke ndërtuar njëkohësisht mekanizma më të fortë mbrojtës ndaj goditjeve të tregut. Investimet në rrjetet elektrike, kapacitetet e magazinimit dhe interkonektorët ndërkufitarë do të ndihmonin në menaxhimin më të mirë të ndërprerjeve në prodhimin nga burimet e rinovueshme. Gjithashtu, përshpejtimi i procedurave të lejeve për infrastrukturën energjetike do të mundësonte ndërtimin më të shpejtë të projekteve të reja.

Megjithëse këto iniciativa kërkojnë kosto fillestare dhe disa ndërprerje, ato do të reduktonin nevojën për masa të përkohshme reaguese dhe do të mbronin ekonomitë nga goditje të përsëritura dhe humbje të vazhdueshme të konkurrueshmërisë. Pa një zgjerim serioz të furnizimit vendas me energji, ekonomitë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian do të mbeten të lidhura rrezikshëm me zhvillimet që ndodhin jashtë kufijve të tyre.

Shkruar nga Bordi Editorial i “Financial Times”/ Përshtati: Gazetasi.al


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë