Gazeta Si – Raporti i sigurisë për vitin 2025 në vend, tregon një realitet shqetësues: rritje të kriminalitetit, përhapje të krimit kibernetik dhe dhunë të vazhdueshme në familje. Megjithë disa rezultate pozitive të strukturave ligjzbatuese, fenomenet problematike po zgjerohen.
Krimi kibernetik dhe dhuna në familje vazhdojnë të jenë shqetësime kryesore, ndërsa disa zona urbane mbeten më të prekura nga kriminaliteti i përditshëm, gjë që tregon se sfidat në fushën e rendit dhe sigurisë publike mbeten ende të konsiderueshme.
Së pari, në raportin e publikuar nga Ministria e Brendshme, një nga treguesit kryesorë, është rritja e numrit total të veprave penale. Gjatë vitit 2025 janë evidentuar 38,345 vepra penale, ose rreth 17.4% më shumë se në vitin 2024.
Edhe pse raporti thekson një nivel të lartë zbulueshmërie prej 94.8%, rritja e përgjithshme e kriminalitetit tregon se fenomeni mbetet shqetësues.
Nga ana tjetër, disa krime të rënda kanë shënuar rënie. Vrasjet me dashje kanë pësuar ulje me 2.4%, ndërsa vrasjet nga pakujdesia kanë rënë me 40%.
Po ashtu, tentativat për vrasje kanë shënuar një rënie prej 4.8%. Një problem tjetër i evidentuar në raport, është rritja e disa formave të kriminalitetit që lidhen me zhvillimet sociale dhe teknologjike.
Krimi kibernetik ka shënuar një rritje me 8.1%, me gjithsej 1,308 raste të regjistruara, ndërsa veprat penale që lidhen me pornografinë me të mitur janë rritur ndjeshëm me 62.2%.
Kjo tregon se përhapja e teknologjisë dhe përdorimi i internetit kanë sjellë edhe sfida të reja për institucionet e sigurisë.
Gjithashtu, shqetësuese mbetet edhe dhuna në familje. Në vitin 2025 janë referuar në prokurori 2,325 raste, që përfaqësojnë një rritje prej 8% krahasuar me vitin e kaluar.
Në aspektin e sigurisë rrugore, raporti paraqet një situatë kontradiktore. Numri i aksidenteve rrugore ka rënë me 17%, duke arritur në 1,375 raste gjatë vitit 2025.
Megjithatë, numri i viktimave është rritur me 12%, duke arritur në 200 persona, ndërsa të plagosurit rëndë janë rritur me 6%. Kjo tregon se, edhe pse aksidentet janë më të pakta në numër, ato janë më të rënda në pasojat e tyre.
Ndërkohë, janë vendosur mbi 1.2 milionë masa administrative ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, çka tregon një rritje të ndëshkueshmërisë.
Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, raporti thekson zhvillimin e 663 operacioneve policore dhe realizimin e 1,518 hetimeve proaktive, duke shënuar një rritje prej 22.12% krahasuar me vitin 2024. Megjithatë, numri i grupeve kriminale të goditura ka qenë 26, ose 28% më pak se në vitin e mëparshëm.
Operacionet janë fokusuar kryesisht në zonat me aktivitet më të lartë kriminal si Tirana, Durrës, Shkodër, Elbasan dhe Vlorë. Raporti për vitin 2025, paraqet një situatë të përzier të sigurisë publike në Shqipëri.
Sa i takon, korrupsionit, raporti vëren se gjatë vitit 2025 janë evidentuar gjithsej 740 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 718 ose 97 % e tyre.
Në tendencën e kriminalitetit, ai i Tiranës është qarku në të cilin kanë ndodhur pjesa më e madhe e veprave penale edhe për vitin 2025.
Ndërsa ai i Gjirokastrës, është qarku me numrin më të vogël të veprave penale të evidentuara gjatë vitit që lamë pas, duke shënuar dhe një rënie me 1.6% të veprave penale, krahasuar me vitin e kaluar.
Në fushën e luftës kundër narkotikëve janë evidentuar 3,492 vepra penale, nga të cilat 98.4% janë zbuluar.
Në total janë proceduar penalisht 4,529 persona, ku 1,331 janë arrestuar ose ndaluar, ndërsa pjesa tjetër është ndjekur në gjendje të lirë ose është shpallur në kërkim.
Sa i përket kultivimit të bimëve narkotike, janë evidentuar 637 raste, ndërsa gjatë operacioneve policore janë asgjësuar 222,261 bimë narkotike, një numër rreth 15% më i ulët krahasuar me vitin 2024.
Për aktivitetet e paligjshme ekonomike, raporti shton se janë konfiskuar pasuri që rrjedhin nga veprimtari kriminale në vlerën totale rreth 17,936,029 euro.
Nga kjo shumë, 16,896,687 euro përbëjnë pasuri të sekuestruara nga aktivitetet kriminale, ndërsa 1,039,342 euro janë konfiskuar me vendime gjyqësore dhe kanë kaluar në favor të shtetit.
Këto pasuri lidhen kryesisht me veprën penale të pastrimit të parave dhe me zbatimin e ligjit për parandalimin e krimit të organizuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje