Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën sot me postimin e një fotoje të vecantë, sëbashku me familjen e tij.
Në një postim në Facebook, Kryeministri shfaqet krah bashkëshortes së tij, Linda Rama, dy djemve Greg dhe Zaho, si dhe vajzës Rea. Fotoja shoqërohet me mbishkrimin “Fotoja e Ditës”.
Ndërsa në një mesazh video të dhënë me rastin e Vitit 2019, Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar ndjesë të gjithë viktimave të padrejtësisë. Ai thotë se ka ende gjykatës dhe prokurorë të pangopur, në një sistem drejtësie që është ende duke u spastruar.
“E di mirë që jemi ende larg drejtësisë që duam për Shqipërinë e fëmijëve tanë. Ndjesë kujdo që edhe gjatë këtij viti ka pësuar në kurriz padrejtësinë e një sistemi në pastrim e sipër ku ka akoma prokurorë e gjykatës të padenjë e të pangopur. I siguroj të gjithë viktimat e padrejtësisë, se jo vetëm e ndjej dhimbjen e tyre, por edhe dhimbja më bën më të vendosur për ti shkuar kësaj beteje deri në fund dhëmbë për dhëmbë mes të djeshme dhe të nesërmes. Por padrejtësia nuk është armiku që u shfaqet qytetarëve vetëm kur kapërcejnë pragun e gjykatave. Fatkeqësisht ajo vazhdon t’u shfaqet në çdo prag të zyrave të shtetit, edhe pse këtë vit e kemi luftuar së bashku përmes platformës “Shqipëria që duam”. Ndjesë kujdo, që nuk ia ka dalë dhe ka ngecur në kurthin e procedurave të zvarritura, por i siguroj të gjithë se përparimet jo të vogla që kemi bërë në terrenin e kësaj beteje kaq të vështirë, me traditën e tmerrshme të parazitizmit dhe korrupsionit do të jenë padiskutim edhe më të mëdha në vitin që po nis”, deklaroi Rama.
Më tej ai theksoi se “2019 do të nisë me një qeveri të re me një fillim të ri për të gjithë organizmin e shumicës sonë qeverisëse. Ne mund të kemi shumë kusure, por jemi të vetmit që do t’u japim zgjidhje problemeve të trashëguara të këtij vendi. Ky vit ka qenë për mua tejet sfidues, por edhe bujar për mundësitë që më ka dhënë, duke më nxitur të guxoj më shumë si dhe duke mundësuar të besoj më shumë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




