Gazeta Si – Në seancën e parë në themel për inceneratorin e Tiranës, në Apelin e Gjykatës së Posaçme, prokurori i SPAK, Dritan Prençi kërkoi që shqyrtimi gjyqësor të ripërsëritet, pasi duhen marrë prova të reja duke u mbështetur edhe në ankimet e bëra nga palët.
Gjithashtu, ai kërkoi që të rishqyrtohet masa për ish-ministri e Mjedisit, Lefter Koka, i cili u lirua nga burgu para disa javësh.
Gjykata, pasi u kthye nga dhoma e këshillimit, pranoi kërkesën e SPAK për përsëritje të pjesshme të shqyrtimit.
Duke marrë në konsideratë provat e kërkuara nga prokurori që lidhen Lefter Kokën, do të pyetet Jetmir Llapaj dhe Silena Tola, e cili është e pandehur në një hetim të lidhur. Seanca u shty për më 11 mars në orën 14:00.
“Në momentin kur është marrë vendimi nga GJKKO, nuk kanë qenë këto rrethana të reja, që ne i mendojmë të tilla dhe duhet ti vlerësojë tashmë ky kolegj. Kërkojmë përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor për të marrë disa prova sa i përket edhe ankimit që është bërë nga palët. Kjo, edhe sa i përket Lefter Kokës, ndaj të cilit është shuar masa e arrestit. Gjykata të vlerësojë provat që janë administruar në shkallë të parë”, – u shpreh prokurori Dritan Prençi.
Nga ana tjetër avokati i Kokës tha se ish-ministri është gjykuar dhe dënuar për inceneratorin e Tiranës dhe e ka shlyer dënimin duke qëndruar në paraburgim.
Në prill të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme shpalli vendimin për inceneratorin e Tiranës duke dhënë në total 15.6 vite burg për 7 të pandehur nga 26 vite që kishte kërkuar SPAK.
Ish-ministri Lefter Koka, u la i lirë në dhjetor të vitit 2025, pasi kishte kaluar 4 vite në qeli. GJKKO e kishte shuar masën e sigurisë “arrest në burg” për dosjen e inceneratorit të Fierit, për shkak të kalimit të afatit 3-vjeçar të paraburgimit. Por SPAK e kishte dërguar çështjen në Apel.
Lefter Koka u prangos në dhjetor të 2021, për 3 vepra penale: “shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash”.
Fillimisht, ai u vu në akuzë për inceneratorin e Elbasanit, ndërsa në mars të vitit 2022 iu komunikua edhe akuza për inceneratorin e Fierit dhe më vonë për atë të Tiranës.
Për djegësin e Elbasanit, Gjykata e Durrësit i dha të drejtë Kokës, duke e liruar me kusht pas dënimit të marrë prej 6 vjet e 8 muaj.
Sa i takon inceneratorit të Tiranës, ai u dënua me 2 vite burgim për shpërdorim detyre, dënim të cilin e kishte vuajtur në paraburgim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje