Financa Personale

Fiaskoja e të ardhurave të disponueshme tek shqiptarët

Duke reklamuar rritjen e ekonomisë në vend, Ministria e Ekonomisë Delina Ibrahimaj u shpreh pak ditë më parë se këto shifra “nuk kanë kuptim” nëse nuk shoqërohen me rishpërndarje të të ardhurave në ekonomi. Por as deklarata e ministres nuk ka “shumë kuptim”, për sa kohë Shqipëria nuk e prodhon një shifër të tillë, ndërsa matje të tjera indirekte që krijojnë një panoramë të rishpërndarjes së të ardhurave në vend, nuk i mbështesin përfundimet e ministres

Nga Gazeta ‘SI’ – Në mbledhjen e sforcuar të grupit parlamentar ku publiku priste se çdo bënin socialistët për çështjen Balluku, foli edhe ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj. Ajo dhe ministra të tjerë ishin aty për të përgatitur mjedisin publik me argumente se nuk kanë si të ecin paralelisht në të njëjtin drejtim dhe rritja e zhvillimi ekonomik dhe korrupsioni i lartë. Akuza e SPAK-ut ndaj ish zv.kryeministres përlyejnë rëndë dhe qeverinë, ndaj në lojë nuk ishte vetëm fati i zonjës Balluku, por dhe i qeverisjes socialiste.

Për këtë arsye duke reklamuar rritjen e ekonomisë në vend, Ibrahimaj tha se këto shifra “nuk kanë kuptim” nëse nuk shoqërohen me rishpërndarje të të ardhurave në ekonomi.

Por as deklarata e ministres nuk ka “shumë kuptim”, pasi mbetet e pambështetur nga të dhëna zyrtare që ta konfirmojnë atë dhe zyrtarisht, Shqipërisë i mungojnë matje të tilla.

Matje të tjera indirekte që krijojnë një panoramë të rishpërndarjes së të ardhurave në vend, nuk e mbështesin përfundimet e ministres.

Të dhënat nga anketa e familjeve e kryer nga Banka e Shqipërisë në verën e vitit 2025 sugjerojnë se struktura e familjeve sipas të ardhurave po shkon drejt dy poleve të kundërta. Është rritur njëkohësisht pesha e familjeve me të ardhura shumë të ulëta (nën 17 mijë lekë në muaj) dhe e atyre me të ardhura të larta (mbi 100–200 mijë lekë), ndërsa shtresa e mesme po tretet.

Të njëjtin trend kanë ndjekur dhe shpenzimet, struktura e së cilave është zhvendosur në dy nivele të kundërta. BSH shpjegon se janë shtuar familjet me shpenzime minimale “10-20 mijë lekë në muaj” dhe ato me shpenzimet maksimale “mbi 200 mijë lekë në muaj”. Ndërkohë raportohet rënie e atyre që deklarojnë shpenzime mesatare.

Pasuria

As pasuria e familjeve nuk e mbështet tezën e një rishpërndarjeje të gjerë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, rreth 95% e familjeve zotërojnë të paktën një pronë të patundshme, një tregues që është rritur lehtë me 0,3 pikë përqindje. Megjithatë, vetëm 2% deklarojnë se zotërojnë më shumë se dy prona, dhe kjo peshë është rritur me 1 pikë përqindje, sinjal i një përqendrimi më të madh të pasurisë në një segment të vogël.

Në të njëjtën kohë, 29% e familjeve nuk kanë asnjë pasuri financiare, ndërsa vetëm 73% kanë një llogari bankare ose depozita, tregues që është ulur me 11 pikë përqindje.

4.5% e individëve mbajnë 44% të parave në banka

Pabarazia bëhet edhe më e dukshme në të dhënat e Agjencia e Sigurimit të Depozitave. Sipas raportit të vitit 2024, vetëm 125.8 mijë individë, rreth 4.5% e 2.7 milionë depozituesve, zotërojnë 44% të totalit të depozitave bankare në vend, ose rreth 740 miliardë lekë. Pjesa tjetër e depozituesve ndan 535.9 miliardë lekë, ndërsa rreth 950 mijë individë nuk kanë asnjë kursim në llogaritë e tyre.

Raporti ka qenë i njëjtë për të paktën 2 vitet e fundit, me rritje disa pikëshe, por duke qëndruar sërish rreth 4.4%.

Struktura e depozitave tregon gjithashtu një ngadalësim të rritjes së depozituesve me kursime të vogla dhe të mesme dhe një rritje më të qëndrueshme të atyre me shuma të mëdha. Depozituesit me më pak se 2.5 milionë lekë kursime u rritën me 7% në 2023, por vetëm me 4.2% në 2024. Në të kundërt, depozituesit mbi këtë nivel u rritën me 4% në 2023 dhe 5.3% në 2024.

Ndërkohë një matje e Eurostat në vitin 2024, e rendit Shqipërinë të fundit në Europë për të ardhurat e disponueshme. Pra të ardhurat që mbeten pasi paguhen detyrimet + mbështetja sociale, vlerësohen në 5.000 PPS, një njësi që mat fuqinë blerëse reale të individëve. Kjo shifër tregon se qytetarët shqiptarë kanë mundësi më të kufizuara për të përballuar shpenzimet e përditshme krahasuar me vendet e tjera të Europës.

Përballë këtyre gjetjeve dhe mungesës së matjeve të drejtpërdrejta mbi fuqinë blerëse dhe rishpërndarjen e të ardhurave, ajo që duket pa kuptim është vetëm deklarata e ministres.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë