Drejtësia

Lihet në burg ish-drejtori i AKU-së në Durrës

Gazeta Si – Gjykata e Durrësit ka lënë në burg ish-drejtorin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në këtë qytet.

Elton Varakut, iu vunë prangat nga policia pasi u fut në ish-institucionin që drejtonte dhe shkatërroi disa objekte të ndryshme pune. Përtej këtij veprimi, ai ka përdorur edhe gjuhë kërcënuese e fyese ndaj punonjësve të institucionit.

Varaku ka kërkuar falje gjatë seancës, ndërsa avokati u shpreh se ishte një reagim i çastit. Ai akuzohet nga prokuroria për shkatërrim prone dhe kanosje.

Pas marrjes së vendimit për largimin nga detyra, ish‑Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ka shfaqur probleme në sjellje.

Të premten ai u kthye në zyrë dhe shpërtheu në veprime të dhunshme. Gjatë këtij shpërthimi të tij, shkatërroi kompjutera dhe objekte të ndryshme pune, duke përdorur gjithashtu gjuhë kërcënuese ndaj punonjësve të institucionit.

Policia e arrestoi në flagrancë pas marrjes së njoftimit nga ana e punonjësve. Gjatë dekadës së fundit, 41-vjeçari nga Shijaku ka mbajtur poste të ndryshme drejtuese në Durrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë