Gazeta Si – Gjatë zbardhjes së përgjimeve të SPAK, mes kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli dhe dëshmitarit Alfred Martini, ky i fundit ka mohuar të jetë orientuar për të votuar në zgjedhjet e 11 Majit nga zyrtari socialist.
Në Gjykatën e Posaçme, ku po mbahet seanca gjyqësore për Shkrelin, nën akuzë për korrupsion zgjedhor, Martini tha se bashkë me disa banorë të tjerë të fshatit Stajkë, i ishin drejtuar kryebashkiakut për mungesën e energjisë elektrike.
Sipas tij, brenda një jave u rikthyen dritat. Më tej, ai nënvizion se nuk kanë marrë ndonjë oreientim nga Shkreli për partinë që do të votonin në zgjedhjet parlamentare të vitit të shkuar.
“Jemi ankuar te Kristian Shkreli. Kemi qenë 5 vetë, jemi ankuar vjet. Jemi takuar te lokali i tij, e kam marrë në telefon Kristjanin. Kemi qenë shumë keq për energjinë elektrike. Kam qenë me xhaxhin Kol Martini, Dodë Martini, Kol Kolecin krushqia e xhaxhait. Ne diskutuam për dritat, na premtoi edhe për rrugët. Veç të mira kemi pritur prej kryetarit të Bashkisë. E takuam vetëm për dritat. Ne nuk njohim as kryeplak, as ndonjë njeri tjetër dhe iu drejtuam kryetarit të Bashkisë. Dritat na i solli pas një jave dhe jemi të kënaqur me energjinë. Nuk kemi diskutuar më në telefon për këtë problem. Linja energjike ishte e fshatit Stajkë. Nuk morëm orientim nga Kristian Shkreli për subjektin që do të votoja”, tha Martini para trupit gjykues.
Prokurori i SPAK, Dritan Prençi, lexoi një përgjim të datës 18 prill 2025, ku Shkreli i thotë dëshmitarit: “Dritat i ke të kryme” dhe më pas shton “veç për Tomën”. Martini iu përgjigj: “Mos e çaj kryt”.
I pyetur për këtë komunikim, dëshmitari tha se bëhej fjalë për shenjë respekti dhe se me emrin “Tomë” i referoheshin Tom Doshit, kreu i Partisë Social-Demokrate.
Sipas pretendimeve të Martinit, “biseda ka qenë për shenjë respekti”. “Personi që përmendet në biseda është Tom Doshi. Asgjë për interes, nuk ka lidhje me korrupsion a diçka tjetër. Biseda ishte me qenë pjesëmarrës në miting. Toma është socialdemokrat”, thotë ai.
Prokurori citon gjithashtu edhe një bisedë të 6 majit 2025 (bisedë me Filip Bardheli për Tom Doshin).
“Do zhvillohej një takim në Stajkë, shkuam të gjithë në miting. Faleminderit shumë Kristjan Shkrelit, është i nderuar dhe i respektuar. Që kur kam nisur të jetoj në Stajkë, ka qenë problem energjia elektrike. E kam marrë unë dhe jam ankuar unë te Kristjan Shkreli. Nuk më ka ofruar para, as vend pune, as për mua as për gruan as për familjarë të tjerë. Unë shkova vetëm për dritat, për asnjë interes tjetër. Unë mora iniciativën për të takuar Kristian Shkrelin, më pas energjia, familja ime në rradhë të parë dhe pastaj familjet e tjera. Nuk kemi bërë diskutime politike”, thotë Martini.
Në dhjetor 2025, Gjykata e Posaçme dërgoi në gjyq themeli Kristian Shkrelin, kryebashkiakun e Vaut të Dejës, i cili akuzohet për dyshimet e shit-blerjes së votës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
SPAK dyshon se Shkreli u ka ofruar të mira materiale zgjedhësve të fshatit Stajkë në Shkodër, në këmbim të votës për subjektin politik Partia Socialdemokrate e Shqipërisë.
Disa muaj më parë, Shkrelit iu sekuestrua telefoni, një pajisje që ndihmoi hetuesit në ngritjen e akuzave se është përfshirë në shit-blerje të votave.
Gjatë fushatës së zgjedhjeve të 11 Majit, kryeministri Edi Rama, në mbyllje të takimit me qytetarët e Shkodrës, kritikoi Shkrelin duke u shprehur: “Kristian, mos më luaj me dy porta!”. Shkreli, kryebashkiak i Vau Dejës, i fitoi zgjedhjet rreth 2 vite më parë si kandidat i Partisë Socialiste.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje