Gazeta Si – Në GJKKO u mbajt seanca e radhës për ish-deputetin socialist, Plarent Ndreca, i cili akuzohet për shkelje të barazisë në tenderët për supervizimin e 4 komisariateve në kohën kur mbante detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.
Në seancën e sotme, GJKKO rrëzoi kërkesën e Ndrecës për përjashtimin nga trupa gjykuese të gjyqtares Flojera Davidhi, si e pabazuar në ligj.
Ndreca nëpërmjet avokatit te tij Ermal Yzeiraj kërkoi shpalljen e moskompetencës për shqyrtimin e kësaj çështjeje nga GJKKO, duke argumentuar se procedurat në fjalë nuk përmbushin elementët e një vepre penale që hyn në juridiksionin e GJKKO.
“Një prej procedurave te prokurimit është me fond 0 ndërsa procedura e dytë për konkursin e projektimit nuk përfshihet ne sferën e prokurimeve se është me negocim pa shpallje, s’ka gare. Kërkoj shpalljen e moskompetencës dhe kalimin e çështjes nw Gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm. Prokurorja është e paqartë për çfarë me ka sjelle mua këtu. Mungon objekti i veprës penale”, tha Plarent Ndreca.
Prokurorja Dorina Bejko nënvizoi se qëllimi final i Ndrecës ka qenë paracaktimi i fituesit në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.
Në fund të seancës së sotme, trupa gjykuese e përbërë nga kryesuesja, Rudina Palloj, dhe dy anëtarët, Flojera Davidhi dhe Erjon Çela, vendosën të rrëzojnë kërkesën paraprake të mbrojtjes për shpalljen e moskompetencës. Gjykata e pranoi kërkesën, ndërsa seanca e ardhshme do të mbahet më 5 mars, në orën 11:00.
“Ne kemi mbajtur qëndrimin tonë edhe në seancë paraprake dhe të pandehurit i është rrëzuar kjo kërkesë në atë fazë. Ne kemi vlerësuar që të dyja procedurat janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën, ndaj e kemi akuzuar vetëm për një episod. Qëllimi final ka qenë paracaktimi i fituesit në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme”, tha Bejko.
Ish-deputeti po gjykohet me procedurë të zakonshme ndryshe nga 15 të pandehurit e tjerë që zgjodhën gjykimin e shkurtuar, për të cilët SPAK ka kërkuar në total 11 vite e 3 muaj burg.
Tenderat për supervizimin e 4 komisariateve Vlorë, nr 4 në Tiranë, Pogradec dhe Mirditë kapnin një vlerë prej rreth 555 mijë euro, ku SPAK pretendon se janë kryer në shkelje të procedurave për të favorizuar njërën prej kompanive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje