Drejtësia

I arrestuar për trafik droge, SPAK i sekuestron apartamentin ish-anëtarit të LVV

Gazeta Si – SPAK ka vendosur nën sekuestro një apartament në Qerret të Kavajës, i cili rezulton në pronësi të Shemsi Bahtirit nga Kosova, ish-anëtar i lëvizjes Vetëvendosje.

Bahtiri u arrestua nën dyshimet për trafik droge, pas zbërthimit të aplikacionit të koduar Sky ECC, i cili iu sigurua autoriteteve nga Franca.

Sekuestrimi u krye pas kërkesës së Prokurorisë Speciale për ndihmën e SPAK, për të kontrolluar pasuritë e paluajtshme të personave të dyshuar pjesë e grupit kriminal. Dyshohet se paratë e fituara nga aktiviteti kriminal janë investuar në tokë, shtëpi, banesa dhe vetura.

Në kuadër të verifikimeve, rezultoi se Bahtiri është pronar i subjektit “DAIMAN” shpk, i regjistruar më 11 mars 2025 me objekt veprimtarie “Shitblerje e pasurive të paluajtshme”, si dhe zotëronte apartamentin në Qerret që tani është nën sekuestro.

Bahtiri akuzohet për veprat penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, blerja, posedimi dhe shpërndarja e narkotikëve, si dhe pastrim parash. Hetimet përfshijnë gjithashtu të paktën dy të dyshuar të tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal.

Lëvizja Vetëvendosje e kishte përjashtuar nga partia Shemsi Bahtirin nëntë muaj më parë. Me anë të një komunikimi për mediet, VV shprehej se e kanë përjashtuar atë, pas verifikimeve që ata kanë kryer, duke shtuar se mbështesin luftën e institucioneve kundër krimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë