Drejtësia

Gjyqi për grupin e Laert Haxhiut, dëshmitari rrëfen vrasjen e Çajup Selimit në Tepelenë

Gazeta Si – Në Gjykatën e Tiranës, ka filluar shqyrtimi i çështjes për grupin e Laert Haxhiu, ku po trajtohet episodi i vrasjes së Çajup Selimi më 1 qershor 2021 në Tepelenë.

Dëshmitari Leonard Selimi ka rrëfyer para trupit gjykues se në momentin e ngjarjes ishte brenda në banesë për shkak të ditëlindjes së tij dhe nuk ka parë asgjë.

Ai deklaroi se Çajup Selimi u qëllua me dy plumba, ku njëri prej tyre ka depërtuar brenda banesës, duke rrezikuar familjen e tij.

Leonard Selimi tha se nuk dëgjoi krisma dhe se doli jashtë vetëm kur plumbi depërtoi në banesë, duke konstatuar se Selimi kishte ndërruar jetë. Ai u përpoq t’i jepte ndihmën e parë, por ishte e pamundur.

Dëshmitari e përshkroi Çajup Selimin si një person të qetë dhe punëtor, i cili merrej me shitjen e çimentos dhe kishte një magazinë.

Seanca e radhës u caktua në 4 mars ora 11. Për këtë krim, i penduari i drejtësisë, Artan Tafani ka rrëfyer se është paguar 25 mijë euro nga Laert Haxhiu.

Tafani ka treguar se kur e vrau biznesmenin Selimi, viktima e kishte parë në sy teksa ai e qëllonte, pa e ditur se ku po e kapnin plumbat. Sipas tij, arsyeja pse ishte vrarë Çajup Selimi ishte sepse kishte ngacmuar nënën e Erisiano Abedinit.

Tafani u arrestua në Shtator të vitit 2023 pasi grabiti me armë një pikë këmbimi valutor në zonën e Astirit. “Zbërthimi” i tij para prokurorëve ka zbuluar një sërë ngjarjesh kriminale dhe anëtarë të grupit të Haxhiut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë