Gazeta Si – Tre javë pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk pranoi nisjen e verifikimit për gjyqtaren e GJKKO-së, Irena Gjoka, nëse është apo jo në kushtet e mos ushtrimit të detyrës për shkak të dyshimeve se nuk ka deklaruar një dënim në Greqi, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vendosur të nisë një hetim disiplinor.
Më 20 shkurt, duke e konsideruar të gabuar vendimin e KLGJ për mos marrjen e një vendimi përfundimtar ndaj Irena Gjokës, ILD ka vendosur të marrë dosjen në hqyrtim.
Vendimin, ILD e ka bazuar me iniciativë, për shkak të informacioneve të dala publikisht, si dhe në dy ankime të mbërritura në adresë të saj nga eksponentë të Partisë Demokratike, Gazment Bardhit dhe Adriana Kalaja.

Përmes një letre, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani njofton Bardhin për vendimin dhe i lë 3 javë kohë për të dorëzuar pretendimet me dyshimin e arsyeshëm se mund të jemi përpara një shkelje në sjelljen e magjistrates.
Ssektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, përfundoi pas gati 2 vitesh verifikimin e gjyqtares Irena Gjoka- Shpata-Maneku duke konfirmuar se gjyqtarja Irena Gjoka ishte dënuar me burg në Greqi dhe është dëbuar për falsifikim të pasaportës dhe vizës, fakte të cilat dyshohet se i kishte fshehur në formularët e vetëdeklarimit.
Duke u bazuar në verifikimin e bërë nga Prokuroria e Përgjithshme se në vitin 2005, ka pasur një dënim penal ndaj gjyqtares Irena Gjoka, ILD thotë se gjyqtarja ka pasur detyrim ligjor të deklarojë më shumë se një herë, të dhëna që lidhen me pastërtinë e figurës, përfshirë dhe të dhëna në lidhje me dënime penale.
Gjyqtarja Gjoka e ka kaluar më herët procesin e Vettingut, pasi KPK nuk gjeti probleme që do të çonin në shkarkimin e saj.
Komisioneri Publik fillimisht e ankimoi vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, por gjatë procesit u tërhoq nga ankimi, prej nga mbeti në fuqi vendimi i konfirmimit.
Akuzat ndaj Gjokës u bënë publike pasi ajo firmosi masat e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me dosjen “Partizani”.
Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë akuzuar vazhdimisht Gjokën, duke pretenduar se ajo është në konflikt interesi dhe se ka fshehur të kaluarën e saj, përfshi dënimin penal në Greqi. Për këto akuza, Berisha ka publikuar edhe dokumente, që sipas tij vërtetojnë dënimin.
Para disa javësh, në një letër dërguar Këshillit të Lartë Gjyqësor, Gjoka parashtronte argumentet kundër verifikimit të thelluar nga Prokuroria e Përgjithshme, sipas së cilës, vendimi i gjykatës greke në vitin 2005 për të është autentik. Ajo insiston se nuk ka pasur dijeni as për procesin dhe as për vendimin gjyqësor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje