Analize

Rusia në krizë, fondi sovran i pasurisë po pakësohet (por Putini nuk pyet!)

Pas 4 vitesh agresioni kundër Ukrainës, Moska e gjen veten me një ekonomi në vështirësi

Gazeta Si – Një detaj i vogël tregon shumë për gjendjen e atyre në Kremlinin rus 4 vite më vonë. Në një nga draftet e para të “marrëveshjes së paqes” që është diskutuar prej muajsh me Shtëpinë e Bardhë, kërkohej që Kievi të angazhohej të mos sulmonte Moskën dhe Shën Petersburgun, jo të gjithë Rusinë, por qytetet ku jeton elita e vendit.

Sipas Novaya Gazeta Europa, forcat ukrainase shkaktuan 8.300 “incidente ushtarakë” në territorin rus vetëm në vitin 2025.

Vladimir Putin dhe bashkëpunëtorët e tij, të moshës 70 vjeç e të mbyllur në Kremlin për një çerek shekulli, frikësohen nga dronët që fluturojnë natën mbi zonat e elitës:

Ekziston shqetësimi se kjo shtresë e pasur dhe me pak gjasa e arsimuar mund të lodhet nga kjo luftë pa rrugëdalje dhe nga diktatori që e imponoi atë.

Problemet nuk janë vetëm psikologjike, por edhe ekonomike. Ekonomistët Alexandra Prokopenko dhe Alexander Kolyandr, vlerësojnë se 81 sulme ukrainase ndaj rafinerive dhe dhjetëra sulme ndaj qendrave prodhuese, tubacioneve dhe anijeve tanker, i kanë shkaktuar Rusisë rreth 11 miliardë dollarë humbje nga të ardhurat dhe dëmet direkte ose indirekte.

Megjithëse Moska nuk është afër kolapsit dhe agresioni nuk do të ulet, këto probleme po bëhen gjithnjë e më të dukshme.

Sistemi, i detyruar të prodhojë mjete shkatërrimi, po nis të shkatërrojë vetveten, dhe kjo mund të intensifikohet nëse lufta vazhdon.

Sanksionet dhe rënia e çmimit ndërkombëtar të naftës detyrojnë Rusinë të shesë burimet e saj fosile me çmime më të ulëta, pavarësisht se nafta siguron një të katërtën e të ardhurave publike.

Buxheti i 2026-ës parashikon shitje nafte me një çmim mesatar prej 59 dollarë për fuçi, ndërsa Moska deri kohët e fundit eksportonte nën 40 dollarë për fuçi.

Isaac Levi nga “Crea Helsinki”, vlerëson se të ardhurat nga burimet fosile në dy muajt e fundit (28.8 miliardë euro) janë shumë më pak se një vit më parë apo që kur nisi lufta.

Kjo krijon probleme në financat publike dhe detyron Kremlinin të tërheqë fonde nga fondi sovran dhe rezervat e arit. Edhe elita e Rusisë e kupton se vendi nuk është në ekuilibër.

3 javë më parë, Qendra e Parashikimeve Ekonomike e “Gazprombank” paralajmëroi se fondi sovran mund të mbarojë brenda një viti, duke lënë si opsion shtimin e parave në ekonomi nga banka qendrore, për të mbuluar deficitin dhe rritjen e inflacionit.

Problemet demografike po shndërrohen në emergjencë sociale dhe ushtarake. Rusia e ka tejet të vështirë për të zëvendësuar rreth 30 mijë të vrarë dhe të plagosur çdo muaj, sidomos kur luftojnë vetëm vullnetarë me kontrata.

Në dhjetor, prindër nga Circassia, Sverdlovsk dhe Chelyabinsk denoncuan abuzime ndaj rekrutëve 18-vjeçarë, të uritur dhe të detyruar nga oficerët për t’u nisur në front.

Ka denoncime të tjera për firma të rreme në kontrata, dhunë ndaj rekrutëve në kazerma dhe presion mbi studentët për t’u regjistruar në ushtri.

Madje, edhe ndërmarrjet dhe shkollat janë përdorur për të detyruar të rinjtë të pranojnë kontrata ushtarake, duke përfshirë edhe gra emigrante nga Azia Qendrore. Putin po vendos gjithë sistemin nën presion dhe mund të aktivizojë mobilizim të pjesshëm të detyruar.

Ai ka tentuar ta shmangë këtë për shkak të pakënaqësisë popullore, duke ndaluar aksesin në rrjetet sociale dhe duke kriminalizuar kritikat, si rasti i Pavel Durov, themelues i Telegram.

Sipas strategjisë së tij, Trump i jep kohë dhe hapësirë duke bllokuar ndihmën për Ukrainën dhe duke mbajtur negociata pa përfundim.

Në të ardhmen, Putin shpreson në fitore të krahut ekstrem të djathtë në zgjedhjet franceze të vitit 2027, që Europa të ndalojë mbështetjen ndaj Kievit. Për këtë arsye, shefi i Kremlinit vazhdon të torturojë, përtej Ukrainës, edhe popullin e vet.

Marrë nga: “Corriere della Sera”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë