Analize

Trump synon të rikthejë ekonominë e Gazës me një kriptomonedhë

Zyrtarët që po punojnë me Donald Trump mbi “Bordin e Paqes”, po mendojnë të krijojnë një kriptomonedhë “stablecoin”, si pjesë e planit për të rimëkëmbur ekonominë e territorit palestinez. Stablecoin, është një kriptomonedhë me një vlerë fikse e lidhur me një monedhë tradicionale,

Diskutimet, sipas pesë burimeve, janë ende në faza fillestare, por kjo është parë si një mundësi që banorët e Gazës të kryejnë transaksione, ndërsa sistemi bankar është rrënuar.  

Kush po udhëheq projektin

Ideja po shqyrtohet dhe udhëhiqetr nga Liran Tancman, një sipërmarrës izraelit i teknologjisë dhe ish-rezervist, i cili aktualisht punon si këshilltar pa pagesë për Bordin e Trump, organin e udhëhequr nga SHBA-ja i ngarkuar me rindërtimin e Gazës. Të tjerë që janë përfshirë në projekt përfshijnë zyrtarë nga qeveria e re teknokrate në Rripin e Gazës, Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG) me 14 anëtarë, si dhe Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë, e udhëhequr nga ish-emisari i OKB-së, Nickolay Mladenov. Të dy këto organe funksionojnë nën kupolën e Bordit.

Sipas personit të njohur me projektin, Bordi dhe NCAG do të vendosin për kuadrin rregullator dhe aksesin për stablecoin-in, megjithatë, asgjë përfundimtare nuk është vendosur ende.

Në një takim të Bordit në Uashington javën e kaluar, Tancman tha se NCAG po punonte për ndërtimin e “një kornize digjitale të sigurt, një platformë të hapur që mundëson pagesa elektronike, shërbime financiare, mësim online dhe kujdes shëndetësor”, por nuk dha detaje shtesë.

“Bordi, NCAG dhe Zyra e Përfaqësuesit të Lartë për Gazën po shqyrtojnë të gjitha opsionet që mund të rikthejnë ekonominë e Gazës,” tha një zyrtar i administratës Trump. SHBA-ja ka nxitur më parë përdorimin më të gjerë të stablecoin-ve të lidhura me dollarin amerikan.

Autoriteti Monetar Palestinez shërben si bankë qendrore për Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Gazën, por nuk ka fuqinë për të emetuar monedhën e vet, dhe monedha zyrtare në territoret palestineze është shekeli izraelit. Transaksionet me dollarë ndodhin në Gaza, por ato janë të kufizuara në krahasim me transaksionet në shekel.

“Të largojmë Gazën nga cash-i, që Hamas të mos mund të gjenerojë më të ardhura”

Që nga fillimi i luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në 2023, qasja në shekelin fizik është e kufizuar ndjeshëm, pasi ATM-të janë shkatërruar ose mbyllur, dhe Izraeli ka bllokuar dorëzimet e reja të parasë. Kjo ka lënë tregtarët dhe ndërmjetësit nën kontrollin e një sasie gjithnjë e më të kufizuar të valutës fizike, shpesh duke tarifuar shuma të larta për shpërndarjen e saj, dhe ka shtyrë gjithnjë e më shumë banorët e Gazës drejt përdorimit të sistemeve elektronike të pagesave.

Një tjetër person i njohur me diskutimet për futjen e stablecoin-it, ku transaksionet janë anonime, por të gjurmueshme, tha se ideja ishte të “largonte Gazën nga përdorimi i parasë fizike, në mënyrë që Hamas të mos mund të gjenerojë të ardhura”. Ai argumentoi se zgjatja e transaksioneve digjitale do t’i lejonte tregtisë të vazhdonte pa qenë e varur nga qeveria izraelite.

Shqetësimet mbi kriptomonedhën e Gazës

Megjithatë, disa persona të tjerë të përfshirë në diskutime shprehën shqetësimin se një stablecoin mund të përdoret për të ndarë më tej ekonomitë e Gazës dhe Bregut Perëndimor, vendet që palestinezët synojnë t’i kenë pjesë të një shteti të ardhshëm, veçanërisht nëse nuk kontrollohet nga Autoriteti Monetar.

“Do të jetë shumë më e vështirë të ruhet lidhja ekonomike mes Gazës dhe Bregut Perëndimor nëse nuk ka një mënyrë të lehtë pagesash dhe Gaza mund të bëhet gati si një ekonomi e izoluar,” tha një person. Një tjetër i njohur me projektin e hodhi poshtë këtë shqetësim: “Askush nuk po përpiqet të ndajë Gazën nga Bregu Perëndimor. Qëllimi është vetëm të lejojë palestinezët të kryejnë transaksione digjitale.”

Një tjetër sfidë e mundshme është se Gaza vuan nga ndërprerjet e shpeshta të energjisë, dhe Izraeli ka kufizuar prej kohësh përdorimin e rrjetit 2G të Gazës. Në komentet e tij në takim, Tancman tha se rrjeti 2G në Gaza “do të përmirësohet me qasje falas me shpejtësi të lartë për shërbime thelbësore” deri në korrik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë