Gazeta Si – Një nga aksesorët më të popullarizuar në qarqet pranë administratës së Donald Trump është një pajisje e vogël elektronike e prodhuar nga një kompani europiane.
Në pamje të parë, duket si një unazë e zakonshme metalike, por në të vërtetë është një pajisje që mund të vendoset në gishtat e dorës, në gjendje të monitorojë parametra të ndryshëm, duke përfshirë rrahjet e zemrës dhe nivelet e oksigjenit në gjak, temperaturën e trupit dhe cilësinë e gjumit.
Këto prodhohen nga “Oura”, një kompani finlandeze e themeluar në vitin 2013, e cila prezantoi versionin e parë të Unazës Oura në vitin 2016 me një fushatë në “Kickstarter”, faqen online të mbledhjes së fondeve.
Që atëherë, këto pajisje janë bërë veçanërisht të njohura në mesin e sportistëve: shumë lojtarë të NBA-së mbajnë një nga këto unaza dhe kompania do të jetë sponsor i ekipit të SHBA-ve në Lojërat Olimpike të Los Anxheles 2028.
Disa faktorë kanë nxitur popullaritetin e “Oura”-s në politikën amerikane. Midis tyre është ideja se monitorimi i vazhdueshëm i gjendjes fizike mund të parandalojë emergjencat dhe sëmundjet, duke ulur kostot federale të kujdesit shëndetësor.
Ky vizion është veçanërisht i dashur për lëvizjen “MAHA” (Make America Healthy Again), një degë e Trumpizmit e njohur për qëndrimin e saj kundër vaksinës dhe mjekësisë tradicionale.
Eksponenti kryesor i kësaj lëvizjeje, është Robert F. Kennedy Jr., Sekretari aktual i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore i SHBA-ve, i cili beson se pajisjet u lejojnë përdoruesve të “marrin kontrollin dhe përgjegjësinë për shëndetin e tyre”.
“Vizioni im është që çdo amerikan të mbajë një pajisje të veshshme brenda katër viteve”, tha Kennedy Jr. qershorin e kaluar.
Megjithatë, miratimi i këtyre pajisjeve nuk kufizohet vetëm te e djathta. Siç raportohet nga “Politico”, unazat “Oura” po përdoren edhe nga demokratët, siç është përfaqësuesja Alexandria Ocasio-Cortez.
Vitin e kaluar, “Oura” nënshkroi gjithashtu një marrëveshje me Departamentin e Mbrojtjes, i cili është bërë klienti më i madh i kompanisë, për të ofruar unaza si një përfitim për disa punonjës dhe ushtarë.
“Oura” kontrollon dy të tretat e tregut të unazave inteligjente në Shtetet e Bashkuara: vlerësimi i saj është rritur nga 2.5 miliardë dollarë në vitin 2022, në 11 miliardë dollarë sot, duke e bërë atë një nga të paktat “decacorns” evropianë (siç quhen startup-et me vlerë të paktën 10 miliardë dollarë).
Që nga viti 2024, “Oura” ka intensifikuar përpjekjet e saj të lobimit në Shtetet e Bashkuara, duke rritur shpenzimet vjetore nga 40,000 dollarë, në mbi 1 milion dollarë.
Qëllimi i saj kryesor është të ndikojë në Administratën e Ushqimit dhe Barnave (FDA), agjencinë qeveritare amerikane që rregullon ilaçet dhe ushqimin, për të rishikuar rregulloret për pajisjet e veshshme.
FDA aktualisht i ndan këto pajisje në dy kategori: “produkte të përgjithshme për mirëqenie”, të cilat nuk i nënshtrohen kontrolleve specifike; dhe “pajisje mjekësore”, të cilat duhet të marrin certifikimin e FDA-së pasi t’i nënshtrohen një shqyrtimi të gjatë të sigurisë dhe efektivitetit të tyre. Unazat “Oura” bien në kategorinë e parë, e cila kufizon funksionet që ato mund të ofrojnë.
Dhjetorin e kaluar, Tom Hale, CEO i “Oura”-s, publikoi një artikull në “Wall Street Journal”, duke argumentuar se rregulloret e FDA-së nuk janë më të përditësuara.
Pajisjet komerciale, shkroi Hale, janë tashmë në gjendje të zbulojnë hipertensionin dhe apnenë e gjumit, për shembull, me përfitime të konsiderueshme shëndetësore për miliona njerëz.
Megjithatë, përfshirja e këtyre funksioneve do të kërkonte që unazat të klasifikoheshin si “pajisje mjekësore”, që kërkojnë certifikim nga FDA – një proces kompleks dhe kufizues.
Për këtë arsye, Hale propozoi krijimin e një kategorie të tretë për “shqyrtuesit digjitalë të shëndetit”, të dedikuar për produktet e afta të “njoftojnë përdoruesit për një problem pa e diagnostikuar atë në të vërtetë”.
Në këtë drejtim, vitin e kaluar, “Whoop”, një kompani që prodhon rripa dore që monitorojnë vlera të ngjashme me ato të “Oura”-s, mori një paralajmërim nga FDA, duke deklaruar se një nga produktet e saj duhet të konsiderohet si pajisje mjekësore, sepse ishte e aftë të maste tensionin e gjakut.
Që atëherë, kompania ka dyfishuar shpenzimet e saj për lobim, ndërsa ka hedhur poshtë propozimin e Hale për të krijuar një kategori të tretë për këto pajisje. Sipas “Whoop”, kjo “mund të ngadalësojë aksesin e konsumatorëve në inovacion”.
Megjithatë, në muajt e fundit diçka ka ndryshuar. Janarin e kaluar, më pak se një muaj pas editorialit të Hale, FDA rishikoi rregullat e saj për të lejuar pajisjet e veshshme të matin tensionin e gjakut dhe glukozën në gjak në disa raste, duke anashkaluar procesin e miratimit të pajisjeve mjekësore.
Në faqen e saj të internetit, “Oura” festoi udhëzimin e ri, por gjithashtu i bëri thirrje Kongresit ta kodifikonte atë, duke përcaktuar më qartë kufijtë brenda të cilëve mund të operojnë kompanitë.
Megjithatë, mbeten pyetje në lidhje me këtë sektor, veçanërisht në lidhje me mbledhjen dhe menaxhimin e të dhënave personale të përdoruesve, të cilat përfshijnë informacione të ndjeshme në lidhje me shëndetin dhe zakonet e tyre.
Për këtë arsye, vitin e kaluar, senatori republikan Bill Cassidy propozoi legjislacion që u kërkon kompanive si Oura të miratojnë të njëjtat standarde sigurie të kërkuara për të mbrojtur konfidencialitetin e të dhënave mjekësore.
Marrëveshja e “Oura”-s me Departamentin e Mbrojtjes të SHBA-ve, përfshin gjithashtu një bashkëpunim me “Palantir”, kompaninë kontraverse të analizës së të dhënave me lidhje të ngushta me qeverinë dhe ushtritë e shumë vendeve.
Lajmi shkaktoi diskutime të gjera, me teori që qarkulluan në mediat sociale se “Oura” po ndante të dhënat e përdoruesve të saj me “Palantir” për të ndihmuar përpjekjet e saj të mbikëqyrjes masive.
“Oura” i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se është në përputhje me rregulloret aktuale të privatësisë si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në Bashkimin Europian.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje