Menaxhim

Sigurimi me detyrim i banesave, mund të rrisë pabarazinë dhe të ‘ndëshkojë’ familjet e varfra

Nga Gazeta ‘SI’ – Ndërsa qeveria po konsulton një skemë të detyrueshme sigurimi për banesat, ekspertët kanë shprehur rezervat e tyre.

Një analizë e kryer së fundmi nga qendra ALTAX, thotë se ekziston një rrezik për ta bërë këtë sigurim një taksë që do të rëndojë familjet, pa asnjë përfitim konkret.

Qeveria synon të bëjë të detyrueshëm sigurimin e banesës nga tërmetet dhe përmbytjet, administruar nga vetë shteti. Kush refuzon ta bëjë, do t’i kufizohen shërbimet nga administrata publike.

Ekspertët e ALTAX, argumentojnë se duhen masa mbrojtëse ndaj shtresave më të margjinalizuara, pasi një barrë fikse do të rriste pabarazinë në vend.

“Një model i mirëfilltë duhet të balancojë disiplinën e riskut me solidaritetin social, duke mos harruar se kapaciteti pagues nuk është i njëjtë për të gjithë. Kostot totale të implementimit nuk mbarojnë me primin vjetor. Për individët, përveç mesatarisht 25–35 euro në vit (sipas diskutimeve të fundit të shkurtit 2026), vijnë edhe shpenzimet administrative, vlerësimi i pasurisë dhe formalizimi i policës, shuma që mund të duket e vogël, por që grumbullohet shpejt për familjet që jetojnë muaj pas muaj”, thuhet në analizë.

Më tej, ekziston një shqetësim se edhe pse do të krijohet një fond i financuar nga primi që paguajnë qytetarët, kostot mund të jenë aq të mëdha sa përsëri presioni të bie mbi buxhetin publik.

Sa më i rrezikuar një vendbanim, aq më i lartë do të jetë primi i sigurimit, por ndërkohë zonat e rrezikuara shpesh janë edhe më të varfra. Pa ndihmë ose subvencione, ky sistem rrit pabarazitë sociale dhe territoriale dhe për këtë duhen kombinuar eficienca ekonomike dhe ajo sociale.

Në përfundim, ALTAX thotë se sigurimi i detyrueshëm i banesave mund të mbrojë familjet nga fatkeqësitë natyrore dhe të nxisë ndërtim më të sigurt. Por për të funksionuar, duhet të jetë i drejtë, transparent dhe i qëndrueshëm, që të mos kthehet në barrë për më të dobëtit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë