Drejtësia

Apeli i GJKKO shtyn për nesër lirimin e ish-deputetit socialist, Jurgis Çyrbja

Gazeta Si – Apeli i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e ish-deputetit socialist, Jurgis Çyrbja për lirimin nga burgu pas përfundimit të dënimit për “Korrupsion aktiv zgjedhor”, “përkrahje e autorit të krimit” dhe “tregtimi i sekretit shtetëror”.

Vendimi u shpall më 20 shkurt 2026 nga gjyqtarët Daniela Shirka, Florjan Kalaja dhe Tereza Merkaj. Sipas avokatit të tij, Çyrbja duhet të lirohej këtë të premte, 20 shkurt 2026, por gjykata arsyetoi se i kishin mbetur disa orë nga dënimi.

Çyrbja ishte arrestuar në tetor 2024 dhe më 3 nëntor 2025 u dënua me 3 vite burg. Ish-deputeti i PS pritet të lirohet (e shtunë, 21 shkurt), pasi pjesën më të madhe të dënimit e shleu duke qëndruar në paraburgim.

Me gjykim të shkurtuar, ai ka vuajtur 2 vite të dënimit. Ai ka qenë deputet i Kuvendit për dy legjislatura dhe ka dhënë dorëheqjen nga mandati në tetor 2024, në kohën kur hetimet e SPAK kishin hyrë në fazën përfundimtare.

Hetimi për ish-deputetin socialist nisi pas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin Sky ECC, ku u gjetën biseda të tij me të shumëkërkuarin e drejtësisë, Altin Hajri, i akuzuar nga SPAK për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës.

SPAK thotë se Çyrbja ka marrë mbështetje elektorale Hajri, një person me precedent penal dhe lidhje shoqërore me të, për t’u zgjedhur deputet.

Në këmbim të kësaj mbështetjeje, ai i ka premtuar Hajrit ndikim në polici dhe prokurori. Komunikimet, sipas hetuesve, kanë treguar se në 8 raste ata kanë siguruar nga punonjës të policisë informacione në sistemin TIMS dhe të dhëna për operacione policore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë