Drejtësia

‘Sterilizimi’ / GJKKO mbyll shqyrtimin gjyqësor, vendimi për Beqajn dhe të tjerët më 4 mars

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka mbyllur shqyrtimin gjyqësor sa i përket dosjes “Sterilizimi”, ku janë marrë të pandehur 9 persona, mes tyre ish-zyrtarë, mjekë dhe biznesmenë.

Pasi ka përfunduar mbrojtja e të pandehurve, GJKKO pritet ta shpallë vendimin më datën 4 mars, në orën 15:30.

Një prej të pandehurve, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj po gjykohet i veçuar nga 8 të pandehurit e tjerë, pasi nuk kërkoi gjykim me procedurë të shkurtuar.

25 qershor 2025, SPAK kërkoi nga 10 vite burg për ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, por në rast se shpallen fajtorë, do të përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar dhe dënimi u konvertohet në 6 vjet e 8 muaj burg.

Struktura e Posaçme Antikorrupsion kërkoi 3 vjet e 6 muaj burg për 3 ish-zyrtarët, Marsela Serjanaj, Sajmir Kadiu dhe Petref Mersini.

Të pandehurit Serjanaj dhe Kadiu nga gjykimi i shkurtuar dënimi i konvertohet 2 vjet e 4 muaj burg, ndërsa Mersinit 4 vjet shërbim prove.

Për mjekun Arben Gjata, SPAK kërkoi që dënimi me 1 vit e 4 muaj burg t’i konvertohet në 3 vite shërbim prove. Po ashtu edhe për Genc Byrazeri dhe Naile Ajazi u kërkua 2 vjet shërbim prove.

Për çështjen e “Sterilizimit”, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, akuzohet për “vjedhje, duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

Ai arrestua më 4 korrik 2024 dhe ndodhet prej më shumë se një viti i izoluar në paraburgimin e Durrësit, pas hetimeve të SPAK-ut ndaj tij për një tjetër çështje, për akuzat e “korrupsionit pasiv”, në cilësinë e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë, SASPAC, në lidhje me fondet e Bashkimit Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë