Lajme

Dialogu me Kosovën, Beogradi pesimist: 2019 s’prodhon zgjidhje

Beogradi është pesimist se 2019 do të sjellë një zgjidhje përfundimtare në dialogun me Kosovën, megjithatë këmbëngul se do të vazhdojë bashkëbisedimin me Prishtinën.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç në një intervistë të fundvitit për “Vecernje Novosti” fajëson palën kosovare për bllokim të dialogut.

“Unë jam i pari që uroj që të arrijmë një marrëveshje, por sot askush nuk mund të pretendojë se do ta kemi një të tillë në vitin 2019. Dialogu në Bruksel është pezulluar prej muajsh tashmë dhe nuk ka asnjë komunikim”, deklaroi ai.

Daçiç këmbëngul se pa dialog nuk mund të ketë zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë dhe mohon se ka kërkesë e presion nga ndërkombëtarët për të ndryshuar formatin e bisedimeve. Gjithsesi, ai mirëpret përfshirjen e mundshme të amerikanëve në tryezën e bisedimeve, por me një kusht.

“Deri më tani nuk ka asnjë kërkesë për të ndryshuar formatin e bisedimeve, apo pjesëmarrësit në tryezën e bashkëbisedimit mes Beogradit dhe Prishtinës. Serbia nuk është kundër përfshirjes në këtë tryezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por nëse kjo do të ndodhte, atëherë do të kërkonim që si balancim në këtë tryezë të ulej edhe Rusia e Kina”, thotë kryediplomati serb.

Dialogu mes Prishtinës dhe Kosovës është ndalur prej kohësh. Tryeza e fundit u zhvillua në muajin qershor, ndërsa takimi i radhës i parashikuar për në shtator të këtij viti dështoi pas largimit të Presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. Presidenti serb e arsyetoi bojkotimin e tryezës me arsyetimin se Prishtina po mundohej t’i ndalonte atij vizitën në veri të Kosovës. Por vizita ndodhi më 9 shtator dhe polemikat që e shoqëruan atë nuk munguan.

Në nëntor dy presidentët u takuan sërish, ndërkohë që në gjysmën e dytë të këtij viti Hashim Thaçi hodhi për konsum publik idenë e tij për “korrigjimin e kufijve”. Publikisht Presidenti i Kosovës mohon se ideja e tij do të thotë shkëmbim territoresh, por është vetëm shenjim i vijës kufitare me Serbinë, çka në fund do të pasonte njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Beogradit.

Por, për opozitën kosovare, një pjesë të madhe të analistëve dhe medias, por edhe për vetë Kryeministrin Ramush Haradinaj ideja është e rrezikshme dhe nënkupton faljen e veriut të Kosovës për Serbinë.

Nga ndërkombëtarët ideja e Hashim Thaçit u prit fillimisht me heshtje. Berlini, Parisi dhe Londra ishin të parët që i dolën hapur kundër. Por, SHBA nuk e përjashton këtë mundësi. Këshilltari për Sigurinë e Donald Trump, John Bolton tha se Uashingtoni do të mirëpresë çdo zgjidhje që prodhon dialogu mes Serbisë dhe Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë